Cilët janë kufijtë që Qeveria nuk duhet ti kaloj në lidhje me Asociacionin?
Prishtinë, 20 gusht - Grupi për Studime Juridike dhe Politike i kërkon Qeverisë së Kosovës që të jetë e kujdesshme në procesin e dialogut në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Poashtu, GSJP shpreh brengën për mungesën e transparencës, informimit dhe mbylljen e plotë të Qeverisë në raport me kornizën mbi të cilën kjo e fundit po e planifikon themelimin e Asociacionit.
Në të njëjtën kohë, duke ditur rrezikun që bartë themelimi i Asociacionit ndaj funksionimit kushtetues, shtet-ndërtimit të mëtejshëm të Republikës së Kosovës dhe konceptit të Kosovës si shtet të qytetarëve të saj, GSJP kërkon nga Qeveria e Kosovës që ti përmbahet kufijve kushtetues dhe parimeve të cilat do të garantojnë që Asociacioni të mos shndërrohet në mjet të ndarjes etnike të Kosovës, si në vijim:
I. Sa i takon rrezikut të imponimit të sovranitetit të dyfishtë nga Serbia përmes Asociacionit:
a) Duhet tërhequr vëmendjen e Qeverisë së Kosovës mbi kërkesën e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë që të imponoj një model të sovranitetit të dyfishtë mbi Kosovën përmes Asociacionit. Në këtë linjë, Qeveria e Serbisë kërkon që Asociacionin ta shndërroj në institucion të Qeverisë së Serbisë në Kosovë sipas përcaktimit paralel në sistemin e saj kushtetues. Përmes kësaj formule, Serbia dëshiron që të imponoj karakterin e dyfishtë të Asociacionit, pra, që themelimi, statusi dhe kompetencat e Asociacionit të bazohet në dy regjime të ndryshme juridike, atë të Kosovës, dhe në të njëjtën kohë, atë të Serbisë. Praktikat e ndjekura deri më sot nga Qeveria Serbe që pas zgjedhjeve ti emëroj disa kryetarë komunash serbe në Kosovë njëkohësisht si kryetar paralel me vendimet e saj, përbën një shembull të këtij modeli.
b) Prandaj është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të garantoj që Asociacioni themelohet vetëm pasi që Serbia të ketë marrë detyrimin ndaj BE-së që të mos i krijoj bazë ligjore apo kushtetuese të njëjtit në sistemin e saj juridik. Pa këtë lloj të garancionit, themelimi i Asociacionit, pavarësisht statusit dhe kompetencave të tij, do të shndërrohet në një organ të Qeverisë Serbe në Kosovës. Kjo zgjidhje seriozisht e dëmton modelin e bashkëjetesës të ndërtuar në Kosovë në këto vite.
c) Në bashkëngjitje të këtij detyrimi, Qeveria e Kosovës duhet të garantoj që asnjë anëtar dhe punonjës i Asociacionit të mos bartë pozitë emërimi nga Republika e Serbisë, apo edhe të pranoj pagë prej saj.
II. Sa i takon statusit juridik të Asociacionit:
a) Një Asociacion i Komunave Serbe, që ka për qëllim përfaqësimin dhe promovimin e interesave të komunitetit serb në Kosovë, nuk mund të ndërtohet në dëm të, dhe të anashkaloj, garancionet kushtetuese për sistemin vetëqeverisës të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e përfaqësimit funksional të komunitetit serb (dhe komuniteteve tjera) në institucionet qendrore të Kosovës.
b) Pranimi që Asociacionit të Komunave Serbe ti njihet statusi i një organi publik që përfaqëson interesin e komunitetit serb, në formatin paralel, e shkatërron sistemin e vetëqeverisjes lokale, përfaqësimin politik të Serbëve përmes pjesëmarrjes në institucionet qendrore të qeverisjes, dhe përfaqësimin e serbëve në institucionet tjera kushtetuese të projektuara për përfaqësimin e interesit serb në Kosovë.
c) Themelimi i një organi paralel publik për përfaqësimin e interesave të komunitetit serb, në formën e Asociacionit, mohon të drejtën e ushtrimit të mandatit kushtetues të komunitetit serb në tërë strukturën institucionale që Kushtetuta e Kosovës ka vendosur për pjesëmarrjen e garantuar të këtij komuniteti. Kosova nuk mund të rrezikoj demokracinë e vetëqeverisjes lokale të komunave serbe (dhe komunave tjera multietnike) dhe përfaqësimin e tyre në institucionet qendrore duke e nominuar Asociacionin si zëdhënës të interesit politik të atyre komunave.
d) Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme mbi faktin që shndërrimi i Asociacionit në një organ publik, gjithashtu, shkatërron përfaqësimin legjitim të komunitetit Serb në Kosovë, meqë themelon një qark të ri përfaqësues i cili nuk bartë mandat të drejtpërdrejtë popullor për ta ushtruar një funksion të tillë përfaqësues. Një funksion të tillë përfaqësues për komunitetin serb në Kosovë e bartin ekzluzivisht deputetët serb në Kuvendin e Kosovës, kryetarët e komunave serbe, dhe përfaqësuesit serb në kuvendet komunale të Kosovës. Themelimi i Asociacionit si një organ publik që përfaqëson interesin serb në Kosovë në mënyrë direkte mohon sistemin e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të komunitetit serb në Kosovë të garantuar me kushtetutën e vendit, dhe modelin integrues të parashikuar me kushtetutën e vendit. Prandaj, Asociacioni nuk duhet të pranohet të dal jashtë karakterit të një organi jo-publik.
III. Sa i takon kompetencave të Asociacionit:
a) Në lidhje me çfarëdo kompetence publike të Asociacionit në Kosovë, duhet sqaruar që sistemi kushtetues i Kosovës përcakton një model të decentralizuar të vetëqeverisjes lokale, ku komunat serbe gëzojnë autonomi të zgjeruar të vetëqeverisjes.
b) Përveç kësaj, përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Serbëve është i garantuar në nivelin qendror përmes mekanizmave të shumtë. Bartja e çfarëdo kompetence prej grupit të kompetencave që u takojnë ekskluzivisht komunave serbe por edhe institucioneve qendrore tek Asociacioni është i ndaluar absolutisht me kushtetutën e vendit.
c) Për më tepër, nominimi i Asociacionit me një kompetencë të natyrës komunale shkel edhe parimet e garantuara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, meqë u mohon komunave serbe kompetenca që u janë garantuar tanimë në kuptimin e së drejtës së tyre për vetëqeverisje lokale dhe parimit të subsidiaritetit (Neni 4, paragrafi 3 dhe 4 i KEVL).
c) Në këtë linjë, duhet rikujtuar Qeverisë së Kosovës që asnjë kompetencë që i takon ekskluzivisht organeve komunale (p.sh. financimin e nevojave të komunave), përfshirë komunat serbe, nuk mund të bëhet objekt i vendimmarrjes së një organi të tretë sikur Asociacionit. Dhënia dhe transferimi/delegimi i çfarëdo kompetence publike për vendimmarrje në çfarëdo çështje tek Asociacioni, nënkupton ri-aranzhim të strukturës së kompetencave të parashikuara me kushtetutë dhe legjislacionit sistemor (vital) të Kosovës. Prandaj, njohja e çfarëdo kompetence Asociacionit implikon çështje të natyrës kushtetuese dhe ndryshim të modelit kushtetues të vetëqeverisjes lokale dhe përfaqësimit e interesave të komuniteteve në Kosovë (përshirë edhe komunitetin serb), dhe si e tillë nuk duhet pranuar.
IV. Sa i takon kohëzgjatjes së Asociacionit:
a) Një Kosovë multietnike, që garanton një sistem të integruar të qeverisjes, nuk mund të pranoj ekzistimin e përhershëm të organeve monoetnike sikur që është Asociacioni. Në këtë kuptim, dhe në linjën e vendimit Sejdic të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, themelimi i një mekanizmi monoetnik është i pranueshëm vetëm si mjet i përkohshëm derisa komuniteti serb i veriut të integrohet plotësisht në jetën publike të Kosovës. Në një dimension tjetër, duhet rikujtuar Qeverisë së Kosovës se imazhi i Kosovës demokratike është i ndërtuar mbi parimit e multietnicitetit, kurse ndërtimi i mekanizmave njëetnik, e kthen Kosovën hapa mbrapa në imazhin e saj.
b) Prandaj, Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj që Asociacioni të jetë një mekanizëm i përhershëm, por një instrument i tillë të themelohet për një afat të caktuar kohor, p.sh. jo më shumë se 5 vite. Qeveria duhet të garantoj që, pas kalimit të një afati të tillë, tërë komunat ti bashkohen Asociacionit të Komunave të Kosovës si mënyra e vetme për ta mbajtur kursin multietnik të përfaqësimit të interesave të çdo komuniteti, një model tashmë i pranuar nga të gjitha komunat serbe të jugut të Kosovës.
V. Sa i takon strukturës vendimmarrëse të Asociacionit:
a) Përveç çështjes së kompetencave dhe statusit juridik të saj, struktura e brendshme e Asociacionit është e rëndësisë së veçantë gjithashtu. Struktura e brendshme e Asociacionit nuk duhet të prodhoj hamendësime mbi funksionin dhe qëllimet e Asociacionit. Pretendimi për ti dhënë Asociacionit një strukturë me një kryetar, një mekanizëm legjislativ dhe një këshill ekzekutiv, jep percepcionin e një organi vendimmarrës me kompetenca shtetërore autonome, dhe si i tillë nuk duhet pranuar.
b) Vendimmarrja në Asociacion, gjithashtu, nuk duhet lejuar të bëhet mbi premisa të institucioneve publike që qeverisen me legjislacionin e organeve administrative. Njëjtë, sikur që statusi i punëtorëve të Asociacionit nuk mund të jetë i nëpunësit civil apo nëpunësit publik, për faktin e thjeshtë që një gjë e tillë paragjykon seriozisht vet kompetencën dhe qëllimin e Asociacionit.
c) Veprimtaria, të hyrat, shpenzimet dhe mënyra e vendimmarrjes, duhet ti nënshtrohen kontrollit administrativ të Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe çdo institucioni tjetër në Kosovë që ushtron kontroll të rregullsisë administrative të funksionimit të institucioneve jo-publike.
Prandaj, Grupi për Studime Juridike dhe Politike i kërkon Qeverisë së Kosovës që të tregoj vendosshmëri dhe respekt për parimet kushtetuese në procesin dialogues me Serbinë, si dhe të garantoj që Asociacioni i Komunave Serbe të mos dal jashtë kornizave kushtetuese dhe konceptit të Kosovës si shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj.
Kosova, si një vend me vizion Evropian, nuk mund të pranoj që të themeloj institucione mbi baza të ndarjes etnike.