16 Janar 2025

Çështja e murit u zgjidh në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën

Prishtinë, 5 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur një konferencë për media ku së bashku me ministrin e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, kanë prezantuar qëndrimet e Qeverisë lidhur me çështjen e murit në Mitrovicën e Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se me rrëzimin e murit në Mitrovicën e veriut, vetëm kanë zgjedhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme, me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike.

Ai ka thënë se pas bisedave të gjata është arritur pajtimi për largimin e murit në veri të Mitrovicës dhe rehabilitimin e hapësirës atje në përputhje me ligjin, planet hapësinore dhe në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe të vetë komunës së Mitrovicës.

“Pas shumë bisedave në përputhje me ligjet, kushtetutën dhe vullnetin e të dy palëve dhe kontributin e pazëvendësueshëm  të ambasadës së SHBA-ve në krye me ambasadorin Delawie, si dhe të zyrës së Bashkimit Evropian dhe Apostollova është arritur pajtimi për detajet e këtij procesi. Sipas kësaj marrëveshje muri është paraparë të rrënohet dhe muri sot është rrënuar, ndërkaq ajo pjesë e sheshit do të rehabilitohet”, tha ai.

Mustafa tha se krejt ajo që është bërë në veri të Mitrovicës është se kanë zgjedhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme, në përkrahje të ndërkombëtareve.

“Pra krejt ajo çfarë kemi bërë është se kemi zgjedhur një problem të brendshëm përmes autoriteteve të brendshme, me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike. Nuk kemi pas asnjë garë force, nuk kemi manifestuar popullizëm as folklorizëm, mendojë që kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuar metodat më të mira demokratike. Komuna e veriut, dje dhe sot ka vepruar plotësisht sipas marrëveshjes së arritur. Është hera e parë që të gjithë këshilltarët e kësaj komune në mënyrë unanime kanë votuar për një vendim shumë të rëndësishëm”, tha ai.

Ai tha se në bisedimet në Bruksel për murin është diskutuar vetëm me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, pasi që është konsideruar si çështje e brendshme dhe si e tillë është mbyllur.

“Në Bruksel ne kemi diskutuar këtë çështje vetëm me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian z. Mogerini, nuk ka qenë kjo pjesë e dialogut me Serbinë, kështu që kemi konsideruar që është çështje e brendshme dhe si e tillë është mbyllë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se që nga koha kur është kuptuar ndërtimi i këtij muri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka zhvilluar të gjitha proceduarat ligjore për të kërkuar nga organet komunale mënjanimin e murit, si një objekt i jashtëligjshëm.

Ai tha se do të bëjmë përpjekje maksimale si Qeveri se të gjitha çështjet dhe problemet t’i zgjidhim në mënyrë të urtë, duke zbatuar kushtetutën dhe duke i siguruar të gjithë qytetarët për garancion të plotë për jetë të tyre të rehatshme dhe për zbatim të ligjit dhe Kushtetutës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, tha se sot kemi një realitet konform Kushtetutës dhe legjislacionit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës. Ai tha se mbi 90 përqind e marrëveshjes është zbatuar brenda 48 orëve.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë në konsulencë dhe në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin, ekipet tona të ekspertëve, administratën dhe të gjitha nivelet tjera profesionale kemi qenë në koherencë të vazhdueshme për të plotësuar atë që është ligjore. Sot ne kemi një realitet tjetër, një realitet konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe konformë legjislacionit të aplikueshëm që është në Republikën e Kosovës. Marrëveshja e arritur sot më konfirmon se mbi 90 përqind është zbatuar brenda 48 orëve dhe po fillon implementimi dhe zbatimi i saj në përpikmëri”, tha ai.

Ministri Shala tha se po vazhdon implementimi i marrëveshjes dhe legjislacionit që është kompetentë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)