Çekia mbështet proceset integruese të Kosovës
Prishtinë, 1 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar të premten një letër urimi nga Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg.
Në këtë letër, e cila është dorëzuar nga Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Jiri Dolezel, shefi i diplomacisë çeke ka shprehur urimet e tij për emërimin e Ministrit Enver Hoxhaj në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, duke shprehur vullnetin e tij për të bashkëpunuar në zhvillimin e mëtejshëm të raporteve të shkëlqyeshme në mes të dy shteteve.
Dëshiroj të ju siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit tim për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, thuhet në letrën e shefit të diplomacisë çeke, Karel Schwarzenberg.
Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, po ashtu ka shprehur dëshirën që të takohet së shpejti me homologun kosovar, Enver Hoxhaj.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë takimit me Ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Jiri Dolezel, ka shprehur vullnetin e institucioneve të Kosovës për të forcuar bashkëpunimin e gjithanshëm me Çekinë, e veçanërisht intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike.
Dëshirojmë të intensifikojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat, forcimin e bashkëpunimit mes dy qeverive, dy parlamenteve por mbi të gjitha mes qytetarëve të dy shteteve tona, ka thënë Ministri Hoxhaj.
Kurse, Ambasadori Jiri Dolozel ka shprehur mbështetjen e Republikës çeke për shtetin e Kosovës në të gjitha aspekte, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, por edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit çek, planifikojnë të vizitojnë Kosovën.