Cameron uron Thaçin për rizgjedhjen si kryeministër
Prishtinë, 23 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar sot një telegram urimi nga homologu i tij, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, me rastin e rizgjedhjes në postin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës.
Në telegramin e urimit, kryeministri Cameron pasi uron kryeministrin Thaçi për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës thekson:
E ardhmja e Kosovës qëndron në integrimin Evropian dhe në NATO. Shpreh gatishmërinë time që të thellojmë bashkëpunimin mes dy qeverive tona, duke punuar ngushtë në reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e këtij qëllimi.
Në telegramin e urimit, kryeministri Cameron po ashtu shpreh rëndësinë e fillimit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e vlerëson si një moment të rëndësishëm për Kosovën.