Butuc propozon emërimin e nënkryetares për komunitete
Prizren, 13 shkurt - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit “Transparenca online e Komunës së Prizrenit dhe Mamushës” ka vazhduar me monitorimin e komunës së Mamushës. Nga ekzekutivi i kësaj komune monitoruesit kanë siguruar propozim-vendimin e kryetarit, Arif Butuc për emërimin e nënkryetares për komunitete.
Pas formimit të qeverisë lokale, kryetari Butuc ka propozuar që Ganimete Sadiku të emërohet nënkryetare për komunitete.
Sipas nenit 61, paragrafi 3, të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale emërimi dhe shkarkimi i Nënkryetarit për Komuniteteve propozohet nga Kryetari i Komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
Ndërsa sipas paragrafit 4 të të njëjtit nen Nënkryetari për Komunitete do t’i ndihmojë kryetarit dhe do të ofrojë këshilla dhe udhëzime për kryetarin lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin pakicë.
Ganimete Sadiku, e lindur në vitin 1974, ka të kryer Fakultetin e Edukimit. Ajo ka qenë nënkryetare e Komunës së Mamushës nga viti 2005. Në periudhën 2005-2009 ka qenë kryetare e Komitetit për Komunitete të KK-së së Mamushës.
Projekti i EC Ma Ndryshe për monitorimin e transparencës së ekzekutivit do të vazhdojë të publikojë të gjeturat e monitorimit përmes komunikatave të rregullta dhe përmes ueb-faqes së projektit, ku të gjeturat postohen drejtpërdrejtë nga monitoruesit. Tanimë të gjitha të gjeturat e monitorimit, përfshi komunikatat e rregullta dhe shumë informacione të tjera në lidhje me qeverinë lokale të Prizrenit dhe të Mamushës publikohen në baza të rregullta në ueb-faqen e projektit, www.online-transparency.org