Busek këshillon Serbinë ta njohë sa më parë Kosovën

Prishtinë, 13 mars - Ish-drejtuesi i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, ka deklaruar se Serbia duhet të njohë Kosovën sa më parë që është e mundur.
Duke folur në \"Info Magazine\", Busek deklaroi se e vetmja rrugë për të ecur në drejtim të BE-së është pajtimi i realitetit të ri të krijuar në Ballkan, ndonëse austriaku bëri me dije se pajtimi i plotë kosovaro -serb mund të merr kohë.
Busek tha se edhe BE-ja e ka kuptuar këtë çështje, andaj ai bëri me dije se edhe pesë vendet e bllokut 28 anëtarësh do të duhet të lëvizin, derisa hodhi poshtë shembullin e krahasimit të Kosovës me Kataloninë kur ka komentuar arsyet zyrtare të Spanjës.
Busek, i cili njeh mirë zhvillimet në rajon ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërshtetëror, me qëllim të forcimit të rrugës së BE-së.
Ai e ka quajtur të padrejtë izolimin e kosovarëve kur ka komentuar liberalizimin e vizave.