16 Janar 2025

Bumçi: Zbatimi i marrëveshjes stabilizon rajonin

Prishtinë, 24 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi, i cili ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ministri Hoxhaj dhe ministri Bumçi fillimisht kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral.

“Shqipëria është një partner i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës në rrafshin politik, por është duke u shndërruar me një shpejtësi pothuajse të dritës në një partner të fuqishëm edhe ekonomik”, tha Hoxhaj, duke theksuar rolin e rëndësishme të rrugës së kombit në rritjen e fuqishme të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të shkëmbimeve në shumë fusha të jetës ndërmjet dy vendeve.

Hoxhaj ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ketë bashkëpunim në shumë nivele me Shqipërinë duke veçuar faktin se tashmë janë nënshkruar pothuajse 100 marrëveshje që rregullojnë shumë fusha të jetës, përfshirë edhe protokollin e bashkëpunimit, si korniza e vetme e bashkëpunim institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Hoxhaj e ka informuar ministrin Bumçi edhe për marrëveshjen e arritur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Ajo çka mbetet për ne është implementimi i kësaj marrëveshjeje dhe unë e njoftova ministrin për planin tonë implementues me qëllim që njëherë e përgjithmonë të mbyllet konflikti 100 vjeçar që ka ekzistuar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, tha Hoxhaj.

Dy ministrat kanë biseduar edhe për integrimet evropiane, për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të MSA-së dhe për liberalizimin e vizave.

“Shqipëria edhe më tej do të lobojë për njohjen universale ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga pjesë të ndryshme të vendeve të Afrikës, të Azisë, të hemisferës veriperëndimore të Amerikës Latine unë kam marrë mesazhe përgëzimi për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe reagimi im i parë ka qenë: njiheni Kosovën”, tha Hoxhaj, duke shtuar se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën edhe në procesin e anëtarësimit të saj në mekanizma rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.      

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi ka thënë se marrëveshja historike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë që normalizon marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve, hap një perspektivë për një bashkëpunim intensiv rajonal dhe hap një perspektivë për integrimin evropian të Kosovës.

Ministri Bumçi tha se marrëveshja duhet të zbatohet pa ekuivok dhe se ajo ka normalizuar marrëdhëniet jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve kudo që jetojnë.

“Kjo do të intensifikojë marrëdhëniet tona në rajon dhe do të hapë një perspektivë të re për njohjet e Kosovës për integrimet e Kosovës në nismat rajonale, në organizata ndërkombëtare, në NATO dhe në BE dhe këto janë të lidhura ngushtësisht me perspektivën ekonomike”, tha Bumçi. 

Lidhur me propozimin e KE-së për çeljen e negociatave për MSA, ai tha se perspektiva evropiane për Kosovën dhe qytetarët e saj tashmë është e prekshme, është konkrete, duke ofruar
përkrahjen e shtetit shqiptar në këtë drejtim.

Ministri Bumçi foli edhe për marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe, shumëfishimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)