Bullgaria e gatshme për të vazhduar përkrahjen ndaj Kosovës
Prishtinë, 24 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në takim përshëndetës ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Republikën e Kosovës, zotëri Bobi Bobev, në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.
Presidentja Jahjaga falënderoi Ambasadorin Bobev për kontributin e tij të çmuar dhe shprehu mirënjohjen ndaj shtetit mik të Bullgarisë dhe qytetarëve të saj që i kanë qëndruar pranë qytetarëve të Kosovës që prej kohëve më të vështira dhe në çdo hap të konsolidimit të shtetit demokratik të Kosovës.
Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të thelluar dhe më tej këtë bashkëpunim edhe në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, si bazament për ofrimin e mirëqenies për qytetarët e dy vendeve.
Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Kosovës, zotëri Bobi Bobev vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke theksuar gatishmërinë e shtetit bullgar për të vazhduar përkrahjen e fuqishme ndaj Kosovës dhe thellimin e mëtejme të marrëdhënieve në mes dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët.