Brummell shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Londrës për Kosovën
Prishtinë, 11 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me Paul Brummell, komisionar i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar në Barbados, i cili shoqërohej nga ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e fuqishme që Mbretëria e Bashkuar dhe përfaqësuesit e saj diplomatik po japin për Kosovën, me theks të veçantë në procesin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj vlerësoi rolin e diplomacisë britanike në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, duke përfshirë lobimin në vendet e Karaibeve dhe shtetet tjera të Komonuelthit.
Ministri Hoxhaj, i ka njoftuar dy diplomatët e lartë britanik edhe për progresin që po ndodhë në Kosovë në të gjitha fushat, për avancimin e vazhdueshëm të rrugës integruese euroatlantike si dhe zhvillimet e fundit në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Hoxhaj po ashtu theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në anën tjetër, Paul Brummell, komisionar i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar në Barbados dhe ambasadori i Britanik në Kosovë, Ian Cliff, vlerësuan lartë progresin në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Londrës për Kosovën, në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe proceset integruese euroatlantike.