29 Dhjetor 2024

Brukseli: Prishtina e Beogradi të nisin bisedimet

Prishtinë, 19 qershor - Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Pieter Feith, dhe ai në Beograd, Peter Sorensen, ua kanë bërë të qartë të dyja kryeqyteteve interesimin e Bashkimit Evropian që opinioni i GJND-së të shërbejë si një “nismë e re”, nëpërmjet konsultimeve që të dyja kryeqytet duhet të kenë midis tyre.

Gazeta Koha Ditore, bën të ditur se BE-ja nuk do të marrë përsipër që të “bëjë presion mbi palët”, pasi që pret që “iniciativa, por edhe përpjekjet për bisedimet të vijnë nga vetë palët”.

“Të gjitha shtetet anëtare e kanë shprehur vazhdimisht interesimin që opinioni i GJND-së të shërbejë si një nismë e re mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nismë duhet të përcillet edhe me bisedime të ndërsjella të të dyja vendeve. Kontaktet me Beogradin dhe Prishtinën po bëhen edhe nëpërmjet përfaqësuesve tanë në të dyja kryeqytetet, por edhe nëpërmjet takimeve dhe vizitave, siç është ajo e kryeministrit Thaçi në Bruksel”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë evropian.

Ideja e këtyre aranzhimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, sipas burimeve, do të mundësojë lehtësimin e rrugës së integrimit të të dyja vendeve në BE. Përderisa për Serbinë mendohet se bisedimet do të lehtësojnë marrjen e statusit të vendit kandidat, për Kosovën, do të mundësojë gjetjen e formulës së liberalizimit të vizave.

Zyrtarët evropianë insistojnë se Brukseli nuk do t’u ofrojë ndonjë agjendë të bisedimeve palëve, por “shpirti evropian” i bashkëpunimit regjional që është promovuar në Konferencën e Sarajevës, mendohet që të shërbejë edhe gjatë këtyre bisedimeve.

Detajet e këtij angazhimi të BE-së, pritet që t`i bëjë publike vetë nënpresidentja e Unionit, Catherine Ashton, gjatë një vizite që do t’u bëjë të dyja vendeve, pas publikimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që pritet të realizohet më 22 korrik.

Julia Reuter, zëdhënëse e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, nuk ka pranuar që të enjten të japë detaje të angazhimit të BE-së për bisedimet. “BE-ja është gjithmonë e gatshme që të lehtësojë, në linjë me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, çdo përpjekje të palëve që të adresojnë çështjet e interesit të ndërsjellë. Palët duhet të pajtohen për kushtet që kjo të ketë sukses. Një qasje konstruktive e të gjitha palëve në mënyrë që të përmirësohen marrëdhëniet fqinjësore është në interes të njerëzve të regjionit”, ka qenë komenti i vetëm i kësaj zëdhënëse.

Për angazhimin e BE-së në bisedime, ditë më parë, ka folur përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith.
Duke thënë se ai personalisht nuk do të udhëheqë procesin e bisedimeve, Feith në këtë intervistë për herë të parë ka shpjeguar angazhimin e BE-së për një rol në bisedimet e mundshme teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, pas opinionit të GJND-së.

“Ajo që mund të them është se BE-ja, dhe kjo është në përgjegjësinë e nënpresidentes, baroneshës Ashton, do të donte shumë që dalja e opinionit të përcillej nga një dialog. Kjo do të bëhet në baza vullnetare, do të ketë konsultime dhe është e rëndësishme që ne të gjejmë në Beograd dhe Prishtinë një atitudë konstruktive”, ka thënë Feith.

Sipas tij, rolin BE-ja do ta luajë në një konsultim të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, i takon BE-së që në këto bisedime të zhvillojë “shpirtin evropian” të proklamuar në Konferencën e Sarajevës.

Institucionet e Republikës së Kosovës ende nuk kanë ndonjë ide të qartë se si do të bëhet koordinimi mes pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile, para bisedimeve të mundshme me Serbinë. Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, kanë thënë se presin që një gjë e tillë të vendoset në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)