19 Maj 2024

Brukseli demanton Nikoliqin nëpërmjet Prishtinës

Prishtinë, 13 mars - Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë t’u ketë mbërritur nga Brukseli zyrtar demanti kundrejt deklaratës së presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, për lëshimin pe të Prishtinës zyrtare në raport me kompetencat që duhet të ketë mekanizmi ombrellë i komunave me shumicë serbe.

Gazeta “Koha Ditore” shkruan sot se aty edhe kanë thënë të mos e kenë autorizuar baroneshën Catherine Ashton të flasë me ndokënd në emër të Kosovës.

Bekim Çollaku, këshilltar i lartë politik i kryeministrit Hashim Thaçi, i ka thënë gazetës të martën se një zyrtar i lartë evropian ia ka kumtuar demantin.

“Personalisht kam kontaktuar gjatë ditës me Fernando Gentilinin, i cili ka qenë pjesëmarrës në të gjitha takimet e procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ai ma ka konfirmuar se baronesha Ashton gjatë takimit të mbrëmshëm në asnjë moment nuk ka deklaruar se pala e Kosovës ka lëshuar pe në ndonjë çështje, të cilës i është referuar presidenti Nikoliq në deklaratën pas takimit”, ka thënë Çollaku.

 “Baronesha Ashton e kryen punën konform mandatit që ka në këtë proces, si lehtësuese e dialogut. Ajo nuk ka autorizim që të flasë në emër të delegacionit të Kosovës dhe as në emër të delegacionit të Serbisë”.

Para se Çollaku ta kumtonte këtë lajm, kryeministri Thaçi ka thënë në Kuvend se pret “qartësi zyrtare nga Brukseli sot gjatë ditës”.

Po kështu, pati deklaruar se të enjten spektri politik i Kosovës do të ketë mundësinë të dëgjojë drejtpërdrejt nga baronesha Ashton, e cila do të vizitojë Kosovën, për rezultatet e takimit të saj me zyrtarët serbë dhe për mënyrën se si pritet të vazhdojë procesi i dialogut me Serbinë, në të ardhmen.

Para se të udhëtonte në Bruksel për takim me baroneshën Ashton, presidenti serb Nikoliq pati thënë të mos jetë i gatshëm të pranojë një zgjidhje çfarë e mbështeste edhe Bashkimi Evropian. Por, pas takimit ai ka dhënë një deklaratë për media, që ka nxitur reagime të Prishtinës zyrtare.

Në një pyetje të gazetarëve bërë në kontekst të deklarimit të tij se gjërat kanë ndryshuar së fundmi, presidenti serb është përgjigjur: “Pala shqiptare ka lëshuar pe, e cila thoshte në fillim se asgjë nuk mund të ndryshohet në Kushtetutën dhe ligjet e tyre”. Informatën ka thënë ta ketë bazuar në atë që i ka thënë nikoqirja e takimit.

Por deklaratën e presidentit të Serbisë kryeministri Thaçi e ka definuar si diçka të pavërtetë.

“Ky takim, sipas informatave të mia zyrtare, ka pasur një qëllim të vetëm: që Serbisë t’i ofrohet edhe një herë  mundësia për të pranuar propozimin që e ka bërë delegacioni i Kosovës në takimet e kaluara për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky asociacion, siç e kam thënë tashmë disa herë, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”, ka thënë Thaçi në Kuvend. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)