Brovina sot takohet me liderët e partive politike
Prishtinë, 8 shtator - Kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka ftuar kryetarët e partive politike për konsultime lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Legjislaturës V.
Brovina ka thënë se kjo është hera e tretë që po i fton në një takim të tillë konsultativ, madje ajo tha se kësaj radhe do ta respektonin vetveten nëse marrin pjesë, meqë i janë drejtuar me kërkesë zyrtare për vazhdimin e seancës.
Sipas Brovinës, takimi është thirrur për të respektuar nënshkrimet e 62 deputetëve të LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes, me të cilat ata kërkojnë thirrjen e seancës për ditën e enjte.
Megjithatë, Brovina ka vlerësuar se thirrja e seancës në këtë mënyrë nuk është në rregull, andaj edhe i ka ftuar partitë për konsultime.
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik, presidentja Atifete Jahjaga ka takuar sërish të martën liderët e partive politike, por pa ndonjë rezultat për krizën.