Britania mund të ndikojë në integrimin evropian të Kosovës
Prishtinë, 21 gusht - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, James Wharton, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Kryeparlamentari Krasniqi, duke e falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën e pakursyer dhënë Kosovës, i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet e Kuvendit të Kosovës me të dy dhomat e Parlamentit britanik, duke e çmuar lart mbështetjen e deritashme të parlamentarëve britanikë për legjislativin e Kosovës.
Ai, ndërkaq, ka theksuar se Qeveria dhe Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar mund të ndikojnë edhe më fuqishëm në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe sidomos për njohjen e vendit tonë nga pesë vendet e mbetura të BE-së.
Deputeti britanik, James Wharton, i cili ka vizituar Shqipërinë dhe Kosovën për tu njohur me mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me parlamentet e këtyre dy vendeve, ka pohuar se tek parlamentarët britanikë ekziston dëshira dhe vullneti i sinqertë për bashkëpunim me këto parlamente.
Ai ka theksuar përbërjen gjithëpartiake të Grupit të Miqësisë me Shqipërinë dhe Kosovën që funksionon në Parlamentin Britanik, duke e parë të udhës që edhe grupet e miqësisë në parlamentet e Shqipërisë dhe të Kosovës të jenë gjithëpërfshirëse.