Brieger: Mitrovica ka nevojë pikërisht për zhvillim ekonomik
Mitrovicë, 6 maj - Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri ka pritur në takim, ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, më të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në Mitrovicë, me theks të posaçëm për zhvillimin ekonomik të Komunës.
Ai fillimisht e falënderoi ambasadorin Brieger për interesimin tij për Mitrovicën dhe për kontributin që Austria ka dhënë për popullin e Kosovës dhe Mitrovicës.
Kryetari Bahtiri i tha ambasadorit austriak se Mitrovica është një komunë specifike në Kosovë, ku përveç problemeve ekonomike, ka mjaftë probleme të tjera politike dhe të natyrës së sigurisë.
Ai tha se i tërë preokupimi i tij dhe i bashkëpunëtorëve është orientuar në drejtim të zhvillimit ekonomik të komunës, me çka do të hapej perspektiva e qytetarëve, do të zvogëloheshin problemet sociale të tyre dhe natyrisht do të tejkaloheshin me lehtë edhe problemet e natyrës politike dhe ato të sigurisë.
Kryetari Bahtiri, i tha ambasadorit se është duke bërë përpjekje që të realizoj vizionin e tij që përmes ngritjes së kapaciteteve prodhuese dhe realizimit të projekteve të tjera zhvillimore t`i ndihmojë qytetarët e Mitrovicës, të cilët aktualisht janë në gjendje shumë të rëndë sociale-ekonomike.
Njerëzit janë lodhur prej premtimeve boshe, prej nacionalizmit, të cilat deri tash nuk ju kanë ofruar asgjë të mirë, përveç varfërisë, prandaj po kërkojnë perspektivë, zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës. Unë po punoj pandërprerë në këtë drejtim dhe besoj që së shpejti do të shihen rezultatet konkrete, pasi që së shpejti do të filloj ndërtimi i fabrikave për prodhimin kërpudhave dhe punësimi i qindra qytetarëve, tha kryetari Bahtiri.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Bahtiri i tha ambasadorit Brieger se i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë kryetarit të komunës së re në veri të Mitrovicës, por edhe kryetarëve të tjerë në këtë pjesë të vendit, me qëllim që të krijojnë në strategji të përbashkët për zhvillimin komunave të rajonit të veriut të vendit, gjë që do të përmirësonte kualitetin e jetës së qytetarëve dhe do të largonte vëmendjen e tyre nga nacionalizmi dhe dukurit e tjera të dëmshme shoqërore.
Me urrejtje, luftë e armiqësi, nuk mund të shkoj përpara askush, po këtë mund ta bëjmë me zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim për të mirën e të gjithë qytetarëve pa marr parasysh përkatësin e tyre etnike.\"
\"Unë e kam ftuar që të marrë pjesë në konferencën investitorëve për Mitrovicën që do të mbahet me 22 maj, edhe kryetarin e Komunës së veriut dhe biznesmenë nga kjo komunë, duke kërkuar nga ata që të sjellin projekte të ndryshme, në mënyrë që ato të jenë të përbashkëta për qytetarët dhe t`ua prezantojmë investitorëve të jashtëm, nga të cilat do të përfitonin qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit, tha kryetari Bahtiri.
Ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Johann Brieger i tha kryetarit Bahtiri se po bënë punën e duhur, sepse Kosova dhe Mitrovica kanë nevojë pikërisht për zhvillim ekonomik, por në veçanti kjo vlen për Mitrovicën.
Zhvillimit ekonomik duhet dhënë hapësirë më të madhe. Njerëzve duhet t`u ofrohet perspektivë konkrete sa i përket përmirësimit të jetës së tyre dhe kjo është ajo që ju po bëni. Austria është një nga investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, dhe ne do të kemi parasysh këtë edhe kur behët fjalë për Mitrovicën. Edhe BE-ja në fokus të veçantë sa i përket investimeve e ka Mitrovicën, pra realizimin e projekteve të ndryshme me perspektivë për të gjithë qytetarët e këtij qyteti, tha ai.
Ambasadori Brieger tha se ka biseduar edhe me kryetarin e komunës në veri të Mitrovicës dhe se edhe ai ka një qasje të këtillë, se për zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarëve, duhet realizimi i sa më shumë projekteve ekonomike të përbashkëta.
Ambasadori e njoftoi kryetarin Bahtiri edhe për hapjen e një ekspozite multietnike që do të organizohet të shtunën në veri të Mitrovicës, ku me punimet e tyre do të marrin pjesë të rinj serbë, shqiptarë etj. Kjo ekspozitë është hapur edhe në Beograd, Prishtinë, Bruksel, Vjenë etj.
Ai e ftoi kryetarin Bahtiri që të merr pjesë në këtë ekspozitë, ku do të jetë i pranishëm edhe politikani i njohur austriak Erhard Busek. Kryetari Bahtiri me kënaqësi e pranoi i ftesën dhe tha se do të jetë aty.