Braathu: Mund të kemi zgjedhje të reja
Prishtinë, 16 shtator - Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, ka paralajmëruar se Kosova shumë shpejt mund të shkojë në zgjedhje, duke kërkuar nga organet përgjegjëse të merren masat e nevojshme për krijimin e një sistemi zgjedhor kredibil.
Ambasadori Brathun në tryezën me titull me titull Zgjedhjet e fundit - mundësi për reflektim në legjislacionin zgjedhor, të organizuar nga Demokracia në Veprim, në të cilën u publikua edhe raporti përfundimtar i vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014, ka bërë me dije se nuk ka zgjedhje të përkryera, madje as në vendin e tij e as në ndonjë vend tjetër. Brathu ka thënë se duhet të bëhen përmirësime për zgjedhjet e tjera.
Duhet marrë masa konkrete në avancimin e sistemit zgjedhor, sepse mund të kemi prapë zgjedhje ndoshta edhe më shpejt sesa që ne presim, ka shtuar Braathu.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka shpjeguar se shumë nga parregullsitë e evidentuara, kanë ndodhur për shkak të afatit të shkurtër kohor për organizimin e zgjedhjeve.
Sfida më e madhe për KQZ-në ka qenë afati i shkurtër kohor, mos harroni se për herë të parë zgjedhjet janë organizuar për 31 ditë,prandaj, të gjitha këto gjetje të cilat dalin nga raporti i Demokracisë në Veprim unë mendoj se janë pasojë e afateve jashtëzakonisht të shkurtra, ka theksuar Daka.