Braathu mbështet Ministrin për komunitete dhe kthim
Prishtinë, 24 janar - Ministri për komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtic, dhe ambasadori Norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, në takimin e përbashkët të tyre diskutuan rreth situatës aktuale politike në Kosovë, rreth zgjedhjeve të ardhshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, si dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Ata gjithashtu prekën edhe temën e vendeve të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve dhe domosdoshmërinë e zgjatjes së mandatit të vendeve të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve pakicë
Ministri Jevtic falënderoi ambasadorin për mbështetjen e Ambasadës Norvegjeze, veçanërisht në hartimin e Strategjisë së re të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila pritet të miratohet.
Ai gjithashtu theksoi se pret edhe më tutje vazhdimin e mbështetjes për zbatimin e kësaj Strategjie. Strategjia e re e Ministrisë tha se është reale dhe e zbatueshme në terren.
Në vazhdim ministri Jevtic njoftoi ambasadorin e Norvegjisë për planet e tij për fillimin e një kthimi tjetër urban në qytetin e Gjilanit, të ngjashëm me atë të vitit të kaluar në qytetin e Prizrenit.
Ambasadori u informua edhe për iniciativën e Ministrisë për hartimin e një ligji për personat e zhvendosur, për projektin e kthimit dhe integrimit të romëve, ashkalive dhe egjiptasve nga kampet në Maqedoni dhe Mal të Zi, si dhe për vazhdimin e projektit të RRK3 të financuar nga Bashkimi Evropian.
Ministri Jevtic theksoi bashkëpunimin e mirë dhe të ngushtë që kanë në mes vete Ministria dhe Zyra për Çështje të Komuniteteve të Zyrës së Kryeministrit në zbatimin e projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me kthimin dhe stabilizimin e komuniteteve në Kosovë.
Lidhur me këtë kërkoi nga Ambasadori i Norvegjisë që vazhdoi ti mbështesë në mënyrë që të vazhdojë bashkëpunimi.
Të dy bashkëbiseduesit biseduan edhe për çështjen e njohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës dhe atij në Mitrovicën e Veriut, duke u pajtuar për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë dhe praktike për të motivuar kthimin e të rinjve dhe qëndrimin e atyre që tashmë janë duke jetuar në Kosovë.
Ambasadori Norvegjez shprehu kënaqësinë e tij për punën dhe rezultatet e arritura të ministrit Jevtic, duke premtuar se Ambasada e Norvegjisë do ti jap mbështetje të plotë Ministrisë për rritje të numrit të të kthyerve dhe përmirësimin e situatës së komuniteteve në Kosovë.