Borisllav Stefanoviç sot po qëndron në Kosovë
Prishtinë, 12 maj Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, po qëndron në Kosovë, për të zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, në kuadër të dialogut, i cili nisi në mars të këtij viti me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai ka hyrë në mëngjes në Kosovë, përmes pikës kufitare në Merdarë, ndërsa gjatë ditës do të përcillet nga policia e Kosovës.
Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, konfirmoi hyrjen e Stefanoviçit në territorin e Kosovës.
Ne sapo morëm konfirmimin nga kolegët tanë se ai e ka kaluar pikën kufitare të Merdarës dhe sigurisht që është nën përcjelljen e njësive të trafikut të Policisë së Kosovës dhe gjatë ditës po këto njësi do ta bëjnë përcjelljen e tij në bazë të agjendës së paraparë me takimet që do t`i zhvillojë gjatë ditës, tha ajo.
Vizita e Stefanoviçit në Kosovë cilësohet si vizita e tij e parë zyrtare e këtij lloji, ndonëse vet Stefanoviç ka pohuar të ketë qenë edhe më herët në pjesë të ndryshme të Kosovës, për t`u takuar me përfaqësues të serbëve kosovarë.
Gjatë ditës, në Prishtinë, ai pritet të takohet me shefen e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, dhe zëvendës kryeministrin, Hajredin Kuçi.