Blloku nuk është unik për Gjykatën Speciale
Prishtinë, 4 gusht - Ndryshimi i ligjeve dhe i Kushtetutës me qëllim të funksionalizimit të Gjykatës Speciale, nuk e ka të sigurt mbështetjen, jo vetëm nga një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, por as nga të gjithë deputetët e koalicionit paszgjedhor, të cilët pretendojnë ta udhëheqin shtetin në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Janë të paktën tre deputetë të Nismës për Kosovë dhe dy deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ata që nuk kanë votuar në pranverë pro themelimit të një gjykate, e cila do të merrej me krimet e pretenduara nga ushtarë të UÇK-së.
Është fjala për Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn dhe Haxhi Shalën nga Nisma dhe Daut Haradinajn e Time Kadriajn nga AAK.
Krasniqi, asokohe si kryetar i Kuvendit, pati abstenuar, Limaj pati munguar, ndërsa Shala pati votuar kundër.
Ndërsa Haradinaj e Kadriaj të dy i kanë thënë haptas Jo, vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe themelimit të Gjykatës Speciale.
Tribuna ka insistuar të marrë një qëndrim nga Krasniqi, por ai nuk është treguar i gatshëm për tiu përgjigjur thirrjeve të gazetës, për sa kohë që deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, e ka pranuar se ende nuk e ka të qartë nëse do të votoj pro ose kundër themelimit të Gjykatës Speciale.
/Tribuna/