Blerim Ibrahimi emërohet anëtar i KQZ-së
Prishtinë, 21 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë sot vendim për emërimin e z.Blerim Ibrahimi për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në cilësinë e Përfaqësuesit të Komunitetit RAE, nga subjekti politik Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës.
Z.Ibrahimi bëri sot betimin para Presidentes së Republikës.
Vendimi për emërimin e tij është marrë duke u bazuar në nenin 139, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 61, në nenin 62 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh marrëveshjen e arritur mes deputetëve romë, ashkanli dhe egjiptas (RAE), të datës 22 prill 2011, si dhe propozimin nga Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës.