01 Maj 2024

Blair dëshiron të jetë prezent në Kosovë

Prishtinë, 18 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua në orët e mbrëmjes me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe zotëri Tony Blair.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Tony Blair biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimeve evropiane të vendit, konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe prezantimin e vendit në skenën ndërkombëtare si dhe zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja që do të ndihmonin Kosovën.

Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjitha komunitetet i gëzojnë të drejtat e tyre dhe është shtet i pavarur, me integritet territorial dhe subjektivitet të garantuar ndërkombëtar.

Ajo tha se Republika e Kosovës është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovues i fqinjësisë së mirë.

Presidentja Jahjaga theksoi se dialogu me shtetin fqinj Serbinë që kishte për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve ka kuptim vetëm nëse palët respektojnë marrëveshjet e arritura.

 Përkundër vullnetit të institucioneve të Kosovës për të implementuar këto marrëveshje, ato vazhdojnë që të mos realizohen nga pala serbe duke e vënë në pikëpyetje jo vetëm kredibilitetin e dialogut, por edhe vazhdimin e tij.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po shënon përparim në proceset integruese dhe se me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës dhe BE-ja kanë hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ajo tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar të bëj reformat e nevojshme për të arritur standardet evropiane, pasi që në këtë mënyrë ne e përmirësojmë vetveten dhe shoqërinë tonë.

Presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja më e mirë për përmirësimin e gjendjes në tri komunat në veri të vendit është zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit që do të mundësonte integrimin e plotë të komuniteteve në këto komuna në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.

Për realizimin e këtij Plani, Presidentja theksoi që është e nevojshme edhe ndihma e komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht duke e inkurajuar Republikën e Serbisë që të shuaj dhe të mos financojë strukturat kriminale që veprojnë në këto komuna.

Ish kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, tha se ndjehet mirë sa herë që vjen në Kosovë dhe i gëzohet sukseseve të saj.

Ai tha që përmes Fondacionit të tij ai dëshiron që të jetë prezent në Kosovë dhe ta bëj atë pjesë të një rrjeti global të edukimit.

Duke folur për situatën në tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, ish-kryeministri Blair tha se mesazhi më i mirë që mund t’i dërgohet komunitetit që jeton në këto komuna, por edhe fqinjëve tuaj dhe komunitetit ndërkombëtar është duke forcuar rendin dhe ligjin në vend.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)