18 Maj 2024

Bislimi: Jam optimist për forcimin e PLK-së

Prishtinë, 7 janar - Ka vendosur të kthehet në vendlindje për të kontribuar edhe më shumë në jetën politike në Kosovë dhe ka zgjedhur Partinë Liberale të Kosovë për ta nisur karrierën politike. Në Kuvendin e VI Zgjedhor të PLK-së është zgjedhur nënkryetar i këtij subjekti politik.

“Epoka e re”: Z. Bislimi, para ca ditësh është mbajtur Kongresi i VI Zgjedhor i PLK-së, ku jeni zgjedhur nënkryetar. Na thoni se pse vendoset të inkuadroheni në PLK?

Bislimi: Duke qenë aktivist tani e 20 vjet i çështjes kombëtare, në veçanti i çështjes së Kosovës, edhe pse jetoj në Zvicër jam munduar dhe kam qenë shumë aktiv për të përfaqësuar në mënyrë sa më dinjitoze imazhin e Kosovës.

Jam munduar ta sensibilizoj opinionin zviceran dhe atë të Evropës për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Para dy dekadave kam qenë bashkëthemelues i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, e cila pikësynim kishte afirmimin e vlerave intelektuale dhe shpirtërore të popullit të robëruar të Kosovës nën regjimin e diktatorit Millosheviq.

Me themelimin e LDK-së unë jam kyçur në LDK si kryetar i një regjioni të Kantonit të Bernit. Gjithashtu, i edukuar në frymën e atdhedashurisë, duke vërejtur se opinioni i Zvicrës dhe ai botëror nuk e kishin të qartë të vërtetën e Kosovës, kam dhënë angazhimin tim nëpërmjet medieve zvicerane që ta informoj opinionin e këtij vendi mik për situatën në Kosovë.


Pas përfundimit të luftës përpjekjet e mia nuk kishin përfunduar për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare për t’i bindur miqtë tanë se ne meritojmë pavarësinë, se jemi popull liridashës, paqësor dhe mbrojtës të vlerave europerëndimore dhe demokratike.

 Duke parë të njëjtin mision para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë të Partisë Liberale të Kosovës, e cila ishte një faktor uniteti në skenën politike të Kosovës dhe një ambasadore e devotshme e Kosovës në qendrat ndërkombëtare të vendosjes, në veçanti rolin e saj në institucionet e BE-së, ku është edhe anëtare që nga koha e paraluftës në ELDR tani ALDE, kam gjetur veten dhe hapësirën për t’i kontribuar Kosovës në afirmimin e mëtejmë të vlerave të liberaldemokracisë, paqes, drejtësisë, barazisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në BE, NATO dhe strukturat europerëndimore. Dhe mund të them se PLK-ja në një mënyrë është një shkollë për të gjitha subjektet politike të Kosovës.
 
“Epoka e re”: Si u prit nga delegatët e Kongresit të VI të PLK-së inkuadrimi juaj drejtpërdrejt në strukturat drejtuese të PLK-së?

Bislimi: Në fakt, me themeluesin dhe liderin aktual të PLK-së, z. Dedaj, njihemi shumë gjatë nga aktivitetet e tij në Bernë e Gjenevë, por unë edhe isha pjesë e delegacionit të PLK-në në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën të organizuar nga ELDR-i me kërkesën e PLK-së në Këshillin e Evropës në Strasburg dhe nga aty i është dhënë një mbështetje e parezervë popullit të Kosovës për pavarësi. Euroliberalët kanë qenë grupimi politik më i rëndësishëm në Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pra duke iu falënderuar rolit dhe misionit të PLK-së në këto institucione për mbi dy dekada.

Prandaj mendoj se PLK duhet të mbështetet.

Duhet të radhiten kuadrot e reja të profilizuara, të orientuara kah politikat eurperëndimore dhe të perspektivës evropiane sepse kështu do të jetë më e lehtë dhe më e shkurtër rruga e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane, procesi Stabilizim Asocimit dhe i liberalizimit të vizave. Këtë duhet ta kenë parasysh jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe elektorati kosovar.
 
“Epoka e re”: Pse zgjodhët një parti të vogël, PLK-në, e jo ndonjë parti që është pjesë e institucioneve të Kosovës?

Bislimi: Kam pasur oferta të jem edhe pjesë e partive të tjera, por me plot vetëdije dhe dëshirë kam zgjedhur PLK-në, sepse duke i njohur nga afër rolin, misionin, aktivitetin, sakrificat dhe kontributin e këtij subjekti politik për çështjen e Kosovës, në veçanti rolin e saj për imazhin Evropian të Republikës se Kosovës dhe vlerat e saj europerëndiimore, më ka bërë pjesë të saj.

“Epoka e re”: Edhe partitë e tjera kanë kontributin e tyre të pamohueshëm në shtetndërtimin e Kosovës.

Bislimi: Nuk po ua mohoj asnjërës kontributin, por në këtë periudhë nëpërmjet PLK-së Kosova do ta ketë më të lehtë rrugën e saj drejt Evropës.

Ju përmendet se PLK-ja është një parti e vogël, dhe pajtohem me këtë. PLK-ja është themeluar dhe ka vepruar në një kohë, hapësirë dhe rrethana tejet të vështira për promovimin e vlerave të saj të liberaldemokracisë evropiane. Pra, në një mjedis dhe shoqëri pa një traditë të gjatë demokratike dhe aq më pak liberale. Dhe këtu është esenca e aktivizimit tim dhe shumë të tjerëve pas meje.

PLK-ja është një urë lidhëse e Kosovës me Evropën dhe botën perëndimore. Kjo urë duhet të forcohet nëse synojmë anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe institucionet euroatlantike.
 
“Epoka e re”: Cili do të jetë roli juaj në masivizimin dhe forcimin e PLK-së?
Bislimi: Që nga dita e mbajtjes së Kongresit të PLK-së unë kam kontaktuar me dhjetëra apo qindra miq, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’u inkuadruar në radhët e PLK-së, posaçërisht nga komunat e Shtimes, Lipjanit, Ferizajt dhe Kaçanikut.

Ky masivizim do të ndodhë në javët e ardhshme, kur pritet anëtarësimi i qindra anëtarëve të rinj në PLK nga këto treva. Dhe jam i befasuar se shqiptarët në shpirt kultivojnë dhe kanë vlera të liberaldemokracisë, të tolerancës ndëretnike, ndërfetare, e këto më trimërojnë dhe më bëjnë optimist për forcimin e PLK-së, duke e bërë një forcë respektive në skenën e brendshme politike.

Në anën tjetër, duke pasur parasysh sakrificat e mëdha të kësaj partie, e cila duke mos qenë në Kuvendin e Kosovës nuk merr asnjë cent nga buxheti i Kosovës, por nëpërmjet miqve do të angazhohemi edhe për tejkalim e vështirësive financiare të PLK-së.

Pra, që këto vështirësi të mos jenë barrë e themeluesit dhe liderit aktual, Dedaj, por edhe drejtuesve të tjerë dhe këtu do ta japë kontributin tim maksimal.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për zhvillimet aktuale në Kosovë? Çështjen e veriut dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Bislimi: Politika aktuale në Kosovë është në një fazë delikate me plot sfida, qofshin ato të natyrës ekonomike, sociale, por edhe të çështjes së sigurisë. Situata në pjesën veriore e dimë të gjithë se çfarë është.

Atje ende ka grupe të caktuara kriminale të cilat janë shumë aktive dhe nëpërmjet bllokadave dhe akteve kriminale vështirësojnë stabilizimin e Kosovës.

Sa i përket dialogut të filluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë nën ndërmjetësimin e baroneshës Eshton dhe përkujdestë të SHBA-ve është i nevojshëm për tejkalimin e ngërçit dhe traumave të luftës së fundit dhe krijimit të mirëkuptimit e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve tona sovrane si dy shtete fqinje, kurse tendencat për ndarjen e Kosovës janë të rrezikshme dhe lëvizin procesin e rikonfigurimit të hartës së Ballkani mbi bazat etnike.

“Epoka e re”: PLK-ja do të hyjë e vetme në zgjedhje apo do të mendoni për ndonjë koalicion parazgjedhor?

Bislimi: Besojmë dhe kërkojmë përmbylljen e reformave zgjedhore, ndryshimin e ligjit zgjedhor i cili garanton shanse të barabarta dhe zgjedhje të ndershme, uljen e pragut zgjedhor në mënyrë që institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës të jenë gjithëpërfshirëse jo vetëm në aspektin partiako-politik, por edhe në rrafshin ndëretnik, fetar e gjinor.

Liberalët si kultivues dhe mbrojtës të pakompromis të barazisë mendojmë se në të ardhmen institucionet e Kosovës duhet ta kenë përfaqësimin e plotë politik, etnik, fetar dhe gjinor, duke përjashtuar çdo formë të diskriminimit mbi baza etnike, fetare dhe gjinore. Kurse sa iu përket koalicioneve parazgjedhore, jemi në fazën e heshtjes dhe hulumtimit.

Ne do të bëjmë koalicion me ato forca politike të cilat e respektojnë rolin dhe sakrificën mbi njëzetvjeçare të PLK-së në skenën politike të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)