BIRN shënon Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve
Prishtinë, 4 prill - Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, në partneritet me Internews Kosova dhe me FindBug, ju ftojnë që t’i përcillni diskutimet me gazetarë, redaktorë dhe akterë të tjerë ndërkombëtar, rajonal dhe lokal, sot në Kino Armata.
BIRN Kosova dhe partnerët e saj janë angazhuar me një varg aktivitetesh për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
Kjo ditë, nën udhëheqjen e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) të Poynter, shënohet nga organizata mediatike të ndryshme në botë si ditë kur festohet e vërteta.
E caktuar qëllimisht një ditë pas Ditës së Rrenave, 1 prillit, Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve qartazi thekson aspektin binar të 'rrenës kundër faktit' — dhe faktet tani janë më me rëndësi se kurdoherë më parë.
BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë një instrument të verifikimit të fakteve, Krypometrin, i cili ka shërbyer si instrumenti primar i verifikimit të fakteve në Kosovë që nga viti 2015, dhe është bërë pjesë e rrjetit IFCN në dhjetor 2016.
Me qëllim që ta shënojmë Ditën e Verifikimit të Fakteve të IFCN, organion konferencën në që do të mbledh gazetarë, profesionistë të medias, rregullatorë dhe vetë-rregullatorë, si dhe ekspertë të medias e teknologjisë dhe do të diskutojnë rreziqet e ndikimeve keqdashëse, posaçërisht ato nga shtete të fuqishme si Kina, Rusia dhe Turqia.
Krahas kësaj, në konferencë do të diskutohet nevoja gjithnjë në rritje për verifikim të fortë e të shëndoshë të fakteve.
Tema e përgjithshme e diskutimeve do të jetë ‘"Ballafaqimi me fakte: Si të kundërshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë”