BIRN publikon raportin për zbatimim e marrëveshjeve Kosovë - Serbisë
Prishtinë, 19 prill - BIRN Kosova dhe Internews Kosova do ta organizojnë sot një konferencë në të cilën do ta publikojnë raportin më të ri për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Raporti i iniciativës BIG DEAL (Marrëveshja e Madhe) i titulluar Truku i ngathtë: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi shqyrton rrugën
përpara për zbatimin e marrëveshjeve kryesore menjëherë pas vendimit të dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për parimet e përgjithshme të Bashkësisë/Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Publikimi i raportit përkon edhe me trevjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.
Ai analizon kryesisht pasojat që ka shkaktuar vendimi i dhjetorit të vitit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë/Asociacionit si dhe ofron rekomandime për qeveritë e Kosovës, Serbisë dhe për Bashkimin Evropian për rrugën përpara në procesin e dialogut.
Prezantimi i raportit nga autori Bodo Weber nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit do të pasojë me një diskutim rreth të arriturave, dështimeve dhe sfidave në procesin e dialogut gjatë të cilit do të flasin Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë; Samuel Zhbogar dhe zëvendës ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia.
Ngjarja organizohet në bashkëpunim me DSP, Qendrën për Studime Euro- Atlantike, Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike dhe Zyra e BIRN-it në Beograd.