Bilall Hadërgjonaj, kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Deçanit
Prishtinë, 10 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan mbajti konferencë për media, me çrast publikoi emrin e kandidatit të Lëvizjes për Kryetar të Komunës së Deçanit, emër ky i dalë nga zgjedhjet e brendshme të organizuara paraprakisht.
Me 4 gusht, nga ora 10:00 e deri në ora 20:00, anëtarët e 8 pikave të Vetëvendosje!-s nga kjo Qendër, kishin votuar për të zgjedhur kandidatin për Kryetare Komune. Procesi ishte përcjellë me një pjesëmarrje prej 91 % të aktivistëve që vinin nga 8 pikat e Vetëvendosje!-s në këtë komunë.
Arben Geci nga Komisioni Zgjedhor ad hoc bëri të ditur se procesi kishte kaluar pa ndonjë parregullsi dhe pa ndonjë ankesë të parashtruar nga pjesëmarrësit dhe se kandidati Bilall Hadërgjonaj është zgjedhur si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje! për të garuar në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor.
Pas tij fjalën e mori kandidati për Kryetar të Komunës së Deçanit nga Vetëvendosje!, Bilall Hadërgjonaj i cili u ndal fillimisht tek lloji i qeverisjes duke theksuar se e gjithë keqqeverisja e pasluftës në Deçan e la këtë komunë me ekonomi pa prodhim, me papunësi mbi 85% e me shëndetësi në nivelin më të ulët në Kosovë. Investimet kapitale u bën pa kriter dhe në shumë vende mungon plotësisht infrastruktura. Shembull i kësaj është fshati Vranoc i Vogël, i cili si pasojë e neglizhimit nga pushteti lokal nga 25 shtëpi ka ngelur vetëm në 14 sosh.
Më pas duke u ndalur tek potenciali zhvillimor që ka kjo Komunë ai shtoi se bukuritë natyrore të Komunës siç janë bjeshkët e Deçanit, me lumenjtë dhe liqenet, në vend se të ruhen dhe të shfrytëzohen për turizëm malor, si potencial për zhvillim ekonomik, e njëherësh mirëqenie për qytetarët, janë keqpërdorur dhe shkatërruar për përfitime individuale dhe grupore. Djegia e pyjeve, prerja e drunjve pa kriter ka bërë që këto bjeshkë të shkatërrohen me tërë florën dhe faunën e tyre."
Në përfundim të fjalës së tij ai tha se Lëvizja Vetëvendosje! vepron si ekip e jo individualisht, andaj unë dhe kandidatët e Vetëvendosje!-s për asamblenë komunale të Deçanit do të jemi përfaqësues të konceptit dhe programit të Lëvizjes, që ne besojmë se është më i miri për përfaqësimin sa më të denjë të interesit të qytetarëve.
"Vetëvendosje! ka alternativën e vet qeverisëse, e cila bazohet në tri shtylla: shteti i së drejtës, shteti zhvillimor dhe shteti social. Ne synojmë që këtë alternativë ta përkthejmë në alternativë qeverisëse lokale, sepse Deçanit i kanë munguar edhe drejtësia edhe zhvillimi ekonomik e edhe kujdesi social.
Pas tij fjalën e mori Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, që duke përmendur biografinë e kandidatit Bilall Hadërgjonaj tha se ne jemi të bindur se është zgjedhja më e mirë dhe e duhur jo vetëm e aktivistëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, por njëkohësisht edhe zgjedhja e drejtë dhe e duhur për gjithë Deçanin.
Andaj është e domosdoshme (theksoi ai) që ashtu siç e kemi mbështetur ne të Vetëvendosje!-s Bilall Hadërgjonajn, ta mbështes i gjithë Deçani, sepse kjo është për të mirën e Deçanit, pra, është një zgjedhje e vërtetë, zgjedhje e mirë dhe e dobishme.
Më tej Kurti shtoi se Deçani është një komunë e cila i ka dhënë shumë Kosovës dhe e cila ka pasur humbje dhe vuajtje të mëdha jo vetëm gjatë luftës edhe para luftës, por edhe pas luftës.
"Në vend se pas përfundimit të luftës në Deçan të kemi drejtësi e zhvillim, kemi pasur ndëshkim dhe moszhvillim, qoftë nga institucionet qendrore, po ashtu edhe nga ato lokale, theksoi Kurti.
Ai ndalet në çështjen e shkatërrimit të pyjeve në këtë Komunë. Në Deçan ka ndodhur shkatërrimi i pyjeve përmes tenderëve, në emër të pastrimeve nga zjarret. Fakti që ka pasur keqpërdorime dhe shkatërrim në emër të pastrimit, dhe kjo vit pas viti në mënyrë ciklike, lë dyshime në tërë zinxhirin e menaxhimit. Kur kësaj ia shton neglizhencën që ndodhi gjatë verës së vitit të kaluar (theksoi ai) ky dyshim shndërrohet në përgjegjësi qeveritare dhe komunale.
Ai më pas duke folur për Industrinë e përpunimit të drurit solli në vëmendje edhe çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit, përkatësisht bllokimi i pronave të ndërmarrjeve shoqërore dhe eksterritorialitetin.
Lëvizja Vetëvendosje! që nga fillimi i negociatave të Vjenës kishte ndërmarrë një fushatë për të kundërshtuar krijimin e zonave të veçanta rreth kishave dhe manastireve ortodokse dhe sidomos përvetësimin që po pretendonte Serbia mbi trashëgiminë ortodokse në Kosovë. Më 25 prill të vitit 2005, përmes një vendimi ekzekutiv Soren Jessen- Petersen i dha status të veçantë mbi 800 hektarëve përreth Manastirit të Deçanit.
Kurti, tha se, nëpërmjet këtij vendimi u bllokuan mbi 600 hektarë prona private bujqish shqiptarë të kësaj pjese. Pronarët kanë mbetur vetëm formalisht të tillë; ata kanë të drejtë vetëm të kositin barin në pronat e tyre dhe asgjë më shumë.
Ai nënvizoi se brenda në manastir nuk lejohen hulumtimet shkencore historike dhe as gërmimet arkeologjike në zonën e veçantë.
Sipas tij aty është mbyllur e vërteta në mënyrë që të mundësohet falsifikimi, përkatësisht serbizimi i Manastirit në të cilin nëpër shekuj e kanë ruajtur shqiptarët vendas.
Në fund të fjalës së tij, Albin Kurti u bëri thirrje qytetarëve të Deçanit që ta përkrahin kandidatin e Vetëvendosje!-s, Bilall Hadërgjonaj, ngase ai përbën zgjedhjen e vërtetë më të drejtë dhe më të dobishme për këtë komunë.