BIK-u nën akuza
Prishtinë, 16 gusht - Arrestimet e ditëve të fundit të mbi 40 personave, që dyshohet se kanë lidhje me organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra, si dhe prangosja e një imami në Gjilan, i ka rikthyer debatet për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe miratimin e Ligjit për Bashkësitë fetare.
BIK-u, e pranon se duhet të ketë reforma, po jo vetëm kur ka sherre apo konflikte. Imamë dhe politikanë kosovarë kritikojnë tolerimin e hoxhallarëve kontraversë.
Zyra për Informim e BIK-ut thotë se, si çdo institucion tjetër, qoftë fetar apo laik kudo në botë që ka nevojë për reforma, ashtu edhe BIK-u ka nevojë për reforma të sofistikuara.
Por, reformat nuk duhet të ndodhin vetëm kur ndodhë ndonjë sherr apo konflikt, por ato duhet të ndodhin në vazhdimësi. Sidomos në kohët e sotme moderne kur po përballemi me zhvillime të hovshme shkencore, kulturore, politike, fetare, informative, teknologjike e tjera, thuhet në përgjigjen e BIK-ut dërguar gazetës Kosova Sot, .
Por, profesori i Studimeve Islame në Universitetin e Prishtinës dhe njëherësh kryetar i Sindikatës në BIK, imami Idriz Bilalli, thotë se përgjegjësi kryesor për këtë gjendje është myftiu Naim Tërnava, që nuk mori masa ndaj imamëve kontroversë.
Ne si Sindikatë e Punëtorëve të Bashkësisë Islame, shqetësimin tonë për dukuri jo të mirë e kemi ngritur qysh herët para katër pesë viteve përmes Sindikatës i kemi bërë publike qëndrimet tona. Mirëpo, kjo është çështje e institucioneve të rendit dhe të sigurisë publike të vendit që kanë paraparë të ndërmarrin një hap të tillë, ka thënë ai.
Edhe deputetja e LDK-së, Alma Lama thotë se, BIK-u ka toleruar imamë radikalë nëpër xhami, që nxisin urrejtje fetare, gjinore dhe kombëtare. Ndërsa sipas saj u takon besimtarëve të vlerësojnë nëse BIK-u po i përfaqëson interesat e tyre dhe a po e justifikojnë ekzistencën e tyre.
Ndërsa deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, thotë se në Kosovë nuk kemi ende ligjin për bashkësi fetare, por sa i përket ekstremizmit, Kosova ka policinë, dhe Agjencinë për Inteligjencë, të cilat janë të gatshme të ballafaqohen me çdo rrezik potencial që i kanoset Kosovës. /Kosova Sot/