BIK u kërkon institucioneve të distancohen nga ambasadori Qëndrim Gashi
Prishtinë, 19 tetor - Kryesia e Bashkësisë Islame në Kosovë i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, që të distancohet nga veprimi i ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka shpërndarë në rrjetin social, Twitter, postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, Le Figaro, në të cilën shihet karikatura e Profetit Muhamed.
“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mosdurimin, urrejtjen e mosbesimin ndërnjerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëjë me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”, është thënë në deklaratën për opinion të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Publikimi i karikaturës së Profetit Muhamed nga gazeta franceze ka ardhur pas vrasjes së një mësuesi francez nga një islamist i dyshuar.
Mësuesit të historisë, Samuel Paty, i është prerë koka më 16 tetor, jashtë shkollës së tij në periferi të Parisit verior, nga një 18-vjeçar, i cili më pas është qëlluar për vdekje nga policia.
Në fillim të këtij muaji, Paty u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed, në një orë për lirinë e shprehjes, duke zemëruar një numër të prindërve myslimanë.
Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se dënon atë që e ka konsideruar akt kriminal kundër mësuesit francez derisa angazhohet që besimet të mos përdoren për urrejtje dhe mosdurim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri.
Myslimanët besojnë se çdo përshkrim i Profetit është blasfemi.