BIK nuk ka nisur ndërtimin e xhamisë pa leje
Prishtinë, 28 qershor - Para se tu fliste besimtarëve myslimanë ferizajas lidhur me Natën e Miraxhit, myftiu Tërnava u tha gazetarëve se janë pallavra ato që fliten për gjoja fillimin e ngritjes së një xhamie afër Fakultetit Filologjik.
Bashkësia Islame e ka fjalën e vet, ajo vendos për ngritjen dhe ndërtimin e xhamive dhe askush tjetër në Kosovë. Këtë duhet ta dijë çdokush, tha prerazi Tërnava.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përjashtoi mundësinë që me dijen e Bashkësisë Islame të Kosovës, të ketë filluar themeli i një xhamie në hapësirën universitare në Prishtinë.
Por ne përkrahim vijën institucionale për zgjidhjen e të gjitha problemeve, prandaj edhe të BI-së. Me mund të madh i kemi krijuar këto institucione, me flijime, me gjak e sakrifica, prandaj duhet që në mënyrë institucionale ti zgjidhim të gjitha kërkesat, thotë Tërnava.
Ai beson se Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe kryetari i kryeqytetit, Isa Mustafa, do të mbështesë kërkesat e besimtarëve dhe brenda një kohe të shkurtër do të kënaqen nevojat e tyre.
Myftiu Tërnava tha se është kundër çfarëdo dhune që pushteti ka ushtruar ose mund të ushtrojë ndaj besimtarëve, ashtu siç u ka bërë thirrje atyre që shkojnë në xhami, që me sjelljet e tyre të mos krijojnë pakënaqësi në raport me besimtarët dhe qytetarët tjerë.