BIK: Festa e Kurban Bajramit, më 12 shtator

Prishtinë, 9 shtator - Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka njoftuar besimtarët dhe opinion e gjerë se dita e parë e Festës së Kurban Bajramit është të hënën më 12 shtator 2016.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Manifestimi fillon në orën 5:35, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Mr. Samir Ahmeti, profesor në Medresenë e mesme Alaudin.
\"Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 6:49 të cilit do ti prijë Burhan ef. Hashani, ndërsa Hytben - mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 12 shtator, Kryesia e BIK-ut, organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00 deri në orën 12:00. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban - Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj Haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban Bajramit!, është thënë në njoftimin e BIK-ut.