Bie optimizmi në Kosovë
Prishtinë, 9 janar - Një hulumtim i opinionit publik i zhvilluar nga Index Kosova, në bashkëpunim me WIN/Gallup International, me 1,037 të anketuar në tërë Kosovën në nëntor të vitit 2013 tregon se optimizmi i qytetarëve të Kosovës ka vazhduar të shënojë rënie.
Aktualisht, 53% e qytetarëve të Kosovës janë optimistë, duke deklaruar se viti 2014 do të jetë më i mirë se viti 2013. Niveli i optimizmit në Kosovë ka qenë shumë më i lartë në fillim të viteve 2000, duke e radhitur vendin tonë në vendin më optimist në botë për disa vite me radhë.
Mirëpo, me zhgënjimin e vazhdueshëm nga pritjet e mëdha për zhvillim të shpejtë dhe prosperitet pas luftës së fundit, përqindja e optimistëve bjen nga 90% në vitin 2000 në 53% në vitin 2013. Megjithatë, Kosova ende mbetet në mesin e 10 vendeve më optimiste në botë, më saktësisht në vendin e nëntë.
Hulumtimi që u zhvillua në Kosovë ishte pjesë e hulumtimit të rregullt vjetor që zhvillohet në tërë botën nga anëtarët dhe partnerët e WIN/Gallup International. Në nivel global, shumica e respondentëve të intervistuar në 65 shtete (67,626 respondentë) ishin optimistë për vitin 2014, ku 48% besojnë se viti 2014 do të jetë më i mirë sesa viti 2013.
Sa i përket prosperitetit ekonomik, 36% e qytetarëve të Kosovës besojnë se viti 2014 do të jetë vit i prosperitetit ekonomik, përderisa 44% mendojnë se nuk do të ketë ndryshime dhe vetëm 10% besojnë se viti 2014 do të jetë vit i vështirësive ekonomike.
Në nivel global, 32% besojnë se viti 2014 do të jetë vit i prosperitetit ekonomik, 33% mendojnë se nuk do të ketë ndryshime dhe 30% besojnë se viti 2014 do të jetë vit i vështirësive ekonomike. Evropa Perëndimore dhe Lindore janë rajonet më pesimiste në botë sa i përket prosperitetit ekonomik, ku 86% dhe 78% respektivisht besojnë se viti 2014 do të jetë më i keq ose i njëjtë.
Rezultatet e këtij hulumtimi gjithashtu tregojnë se shumica e njerëzve në botë (38%) janë të lumtur aty ku jetojnë dhe nuk do të zhvendoseshin diku tjetër, përderisa në Kosovë kjo shifër është 25%.
Për ata që do të zhvendoseshin diku tjetër, në nivel global, vendet më të dëshiruara janë SHBA-të (9%), Kanadaja (7%), Australia (7%) dhe Zvicra (6%), ndërsa për qytetarët e Kosovës dy vendet më të dëshiruara janë Zvicra (26%) dhe Gjermania (21%).
Edhe pse SHBA në nivel global është shteti më i dëshiruar për tu zhvendosur, shumica e njerëzve në botë (24%) e kanë identifikuar SHBA-në si kërcënimin më të madh për paqen në botë sot. Pas SHBA-së rradhitet Pakistani (8%), Kina (6%), Korea Veriore (5%), Izraeli (5%) dhe Irani (5%). Përderisa 54% e qytetarëve në Rusi, 49% në Kinë dhe 49% në Bosnje e konsiderojnë SHBA-në si kërcënimin më të madh, vetëm 2% e qytetarëve të Kosovës mendojnë se SHBA-të janë kërcënimi më i madh për paqen në botë.
Për qytetarët e Kosovës shtetet që konsiderohen kërcënim më i madh për paqen në botë janë Rusia (16%), Serbia (12%) dhe Siria (11%).