Besnik Tahiri nuk do të kandidojë më për kryetar të Prishtinës
Prishtinë, 4 nëntor - Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, u shpreh i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale, ku ai mori vetëm 4.31 për qind të votave.
Megjithatë ai tha se i nënshtrohet verdiktit të popullit dhe theksoi se nuk do të kandidojë më për kryetar të Prishtinës.
Besnik Tahiri, i cili për dhjetë muaj radhazi e ka shpalosur kontratën për ndryshimin në Prishtinë, nuk ka marrë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Tahiri tha se bashkë me ekipin e tij ka qenë i përkushtuar dhe ka ofruar një ofertë programore shumë profesionale, por e cila nuk ka marrë mbështetje nga ana e qytetarëve.
Verdikti i popullit është ai dhe të gjithë ne i nënshtrohemi, i nënshtrohem edhe unë. Unë personalisht dhe ekipi im jemi krenar për çfarë i kemi ofruar kryeqytetit, nuk jemi të kënaqur me rezultatin, por për këtë do të bëjmë një analizë, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se do të bëjnë analiza jo vetëm në kuadër të Aleancës për kryeqytetin, por edhe në nivel të përgjithshëm, ndonëse u shpreh i kënaqur me rritjen e mbështetjes që partia, sipas tij, ka marrë në nivel qendror. Ndërkohë, Tahiri tha se nuk do të përkrahë asnjërin kandidat në garën e balotazhit në Prishtinë, por përsëriti se ai nuk do të garojë më për kryetar.
Jo absolutisht nuk do të kandidoj më për Prishtinën, jo për shkak të egos, jo për shkak të ndonjë elementi tjetër, por vetëm për faktin se unë skam cka i jap më shumë Prishtinës. Krejt cka kam pasë i kam dhënë, tha Tahiri.
Ndryshe, sipas rezultateve të deritashme, Besnik Tahiri, ka marrë 4.31 për qind të votave në garën për kryetar të Prishtinës.