Beqiri:Nuk e mbrojmë Qeverinë
Prishtinë, 22 qershor - Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, u është kundërpërgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje! për mungesë të rolit opozitar, për mbështetje të Qeverisë si dhe për kontroll nga ana e kryeministrit Thaçi.
Këto akuza Beqiri i ka quajtur të pavërteta dhe të paqëndrueshme, duke thënë se me këto veprime Vetëvendosje! po i ndihmon keqqeverisjes.
LDK-ja nuk e mbështet Qeverinë asnjëherë, përkundrazi e kemi kritikuar vazhdimisht. Mirëpo, LDK-ja është parti shtetformuese dhe kur janë në pyetje interesat e shtetit ne dalim në mbrojtje të tyre, ka deklaruar Beqiri në një intervistë për Epokën e re.
Ai ka thënë se LDK-ja në të gjitha format është më e fuqishme sesa Vetëvendosja.
Fuqia në Kuvend, përveç kualitetit, matet edhe me numra. Është shumë e qartë se roli ynë opozitar është prijës dhe përcaktues, ka deklaruar Beqiri.
Ai i ka quajtur jokorrekte sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje! karshi LDK-së, duke thënë se në njërën anë Vetëvendosje! kërkon bashkëpunim nga LDK-ja, në anën tjetër del e sulmon pa argumente.
Është jo e sinqertë dhe jokorrekte që në njërën anë të kërkohet bashkëpunim nga LDK-ja, në anën tjetër të sulmohemi pa asnjë argument. Por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, ka thënë Beqiri.