Beqiri: Me AKR-në hyjmë në Kuvend
Prishtinë, 22 maj - Nënkryetari i Partisë Demokracia Sociale e Kosovës (DSK), Mirsim Beqiri, ka thënë se ky subjekt politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 qershor, do të hyjë në listë të përbashkët me AKR-në.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Beqiri, i cili është kandidat për deputet, ka thënë se DSK-ja në listën e AKR-së do të përfaqësohet nga pesë kandidatë.
Do të angazhohemi shumë që lista e AKR-së të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve. Andaj në këto zgjedhje parlamentare DSK-ja për herë të parë merr pjesë dhe po hyn e kompletuar dhe shumë e bindur sepse ka çka ti ofrojë elektoratit në Kosovë, ka thënë Beqiri, i cili e ka falënderuar presidentin e AKR-së për hapësirën që i ka ofruar DSK-së.
Ai ka thënë se Demokracia Sociale e Kosovës është një subjekt politik stabil, që po ecën me hapa të sigurt në skenën politike.
DSK-ja ka shumëçka tu ofrojë qytetarëve, që të tjerët se kanë bërë deri më sot. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit duhet të na votojnë, ka deklaruar Beqiri. I pyetur nëse do mund ta kalojë pragun zgjedhor AKR-ja, Beqiri ka thënë se në këtë pyetje sduhet pasur asnjë dyshim.
Lista e AKR-së, ku janë pjesë e saj edhe kandidatët për deputetë të DSK-së, do të jetë fituese e zgjedhjeve 8 qershorit, pasi do të kemi një përfaqësim të mirë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, ka thënë Beqiri, duke shtuar se kanë hyrë në listën e AKR-së për tu bërë pjesë e parlamentit të ardhshëm dhe për ta vazhduar bashkëpunimin me presidentin e AKR-së, Behgjet Pacollin.
Epoka e re: Z. Beqiri, këto ditë keni arritur një marrëveshje me AKR-në, që pesë kandidatë nga DSK-ja të jenë të përfshirë në listën zgjedhore të AKR-së. Çfarë fuqie ka DSK-ja në Kosovë?
Beqiri: Demokracia Sociale e Kosovës ka dy vjet që është në skenën politike të Kosovës dhe u përcaktuam të jemi parti e qendrës së majtë dhe jemi partia politike më e re në Kosovë me program të karakterit gjithëpërfshirës social. Ne në programin tonë qëllim kryesor kemi ndërtimin e shtetit ligjor, funksionimin e dorës së shtetit dhe të shoqërisë në të gjitha pjesët më vitale të saj. DSK-ja me programin e saj ka për qëllim të ndërtojë një shtet të karakterit socialdemokrat të tipit modern bashkëkohor gjerman, përkatësisht evropian. DSK-ja veprimtarinë e ka të ndërlidhur edhe me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), pasi kemi një bashkëpunim të mirë me SPD-në e Gjermanisë. Për daljen në skenë të DSK-së meritat i takojnë liderit të saj, z. Begzad Gashi, i cili vendosi të vijë nga Gjermania dhe ta themelojë një parti të re socialdemokrate. Pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës kemi shtrirje, bile edhe më mirë se që kemi pritur. Kryesia e partisë është e kompletuar me anëtarë të rinj dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Kemi formuar 15 departamente, ku në krye të secilit departament janë njerëzit e profesioneve. Këto ditë kemi arritur një marrëveshje me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit, që të hyjmë në listë të këtij subjekti politik pesë kandidatë për deputetë nga DSK-ja, ku është edhe lideri i partisë, Begzad Gashi dhe unë i pasuar nga tre kandidatët e tjerë. E falënderojmë z. Pacolli për korrektësinë që ka treguar në raport me përfaqësimin e kandidatëve tanë në listën zgjedhore të AKR-së dhe as ne sdo ta zhgënjejmë atë. Do të angazhohemi shumë që lista e AKR-së të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve. Andaj në këto zgjedhje parlamentare DSK-ja për herë të parë merr pjesë dhe po hyn e kompletuar dhe shumë e bindur sepse ka çka ti ofrojë elektoratit në Kosovë.
Epoka e re: Pse Pacolli ju dha hapësirë aq shumë në listë, me pesë emra për deputetë, derisa ju nuk jeni matur me votë dhe besoni se AKR-ja do ta kalojë pragun zgjedhor?
Beqiri: Kemi shtrirje në komunat kryesore të Kosovës. Sigurisht se dikush mund të thotë se DSK-ja nuk është matur me votë në zgjedhje parlamentare, por ne kemi elektorat sepse që dy vjet jemi duke vepruar në Kosovë dhe do të shihet në këto zgjedhje fuqia e DSK-së nëpërmjet listës së AKR-së, ku janë të përfshirë edhe emrat tanë për deputetë. Demokracia Sociale e Kosovës është një subjekt politik stabil, që po ecën me hapa të sigurt në skenën politike. DSK-ja ka shumëçka tu ofrojë qytetarëve, që të tjerët se kanë bërë deri më sot. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit duhet të na votojnë. Sa i përket pyetjes suaj, nëse AKR-ja do ta kalojë pragun zgjedhor, këtu sduhet të keni asnjë dyshim, sepse pragu nuk vihet në pyetje. Ne kemi hyrë në listën e AKR-së për tu bërë pjesë e parlamentit të ardhshëm dhe për ta vazhduar bashkëpunimin me z. Pacolli.
Epoka e re: Në rast se z. Pacolli do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, do të jetë e përfaqësuar edhe DSK-ja në koalicion me AKR-në?
Beqiri: Ne me z. Pacolli jemi pajtuar të shkojmë me një listë të përbashkët në zgjedhje. Lista e AKR-së, ku janë pjesë e saj edhe kandidatët për deputetë të DSK-së, do të jetë fituese e zgjedhjeve 8 qershorit, pasi do të kemi një përfaqësim të mirë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës. Sigurisht se pas zgjedhjeve do të ulemi të bisedojmë me z. Pacolli për hapat e mëtutjeshëm.
Epoka e re: Sa mund të jetë një bashkëpunim i frytshëm në mes të AKR-së dhe DSK-së, pasi dihet se z. Pacolli ka synim zhvillimin ekonomik, kurse DSK-ja shtresën sociale?
Beqiri: Besoj shumë se duke bashkëpunuar bashkë, AKR-ja në zhvillimin ekonomik të vendit dhe DSK-ja në mirëqenien sociale, do të përfitonin shumë qytetarët e Kosovës. Prandaj qytetarët do të kenë më shumë arsye që në zgjedhjet e 8 qershorit ta votojnë listën e AKR-së, në të cilën përfaqësohen edhe kandidatët e DSK-së.
Epoka e re: Çfarë vlerësimi keni për situatën e përgjithshme në vend, qeverisjen e deritanishme dhe Kuvendin që shkoi?
Beqiri: Nuk mund të them se gjithçka ka qenë zi, dhe as që mund të them se gjithçka ka qenë bardh. U bë mirë që vendosëm të shkojmë shumë më herët në zgjedhje sesa të prisnim derisa të kryhet mandati kushtetues. Nuk kishim as pozitë të mirëfilltë, pasi vazhdimisht kishte probleme me numra në Kuvend, gjithashtu nuk kishte as koordinim të opozitës kur ishte në pyetje për tiu kundërvë pozitës. Zgjidhja më e mirë ishte shkuarja në zgjedhje. Besoj shumë se Kuvendi i ardhshëm duhet të ketë një përfaqësim më të mirë të deputetëve. Sa iu përket vendimeve të fundit të qeverisë aktuale, DSK-ja i ka përkrahur përherë të gjitha zhvillimet pozitive të cilat kanë ndodhur për interesin e përgjithshëm shtetëror. I kemi përshëndetur edhe hapat e fundit në lidhje me rritjen e pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës, mirëpo kemi edhe vërejtjet tona. Mendojmë se është dashur të rriten pagat, ta zëmë në vlerë prej 150 eurosh për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Rritja e pagave në 25 % nuk ka pasuruar arkën e familjeve të punëtorëve me të ardhura të ulëta, por ka rritur edhe më tej dallimin e madh në mes të shtresave, pra asaj të pasur dhe të varfër. Një punëtor që merrte pagën e tij 200 euro, tani do të marrë 250 euro, por një zyrtar që ka rrogën 3 000 euro, ai do të marrë 3 750, rritja në përqindje është dy herë më e madhe se vetë rroga e një punëtori. Kjo nuk ka qenë dashur të ndodhë. Andaj ka edhe të tjera padrejtësi, ku në Kosovë ende nuk ka ligj për nivelimin e pagave, nuk ka as gradime të punëtorëve profesionalë. Këto ndikojnë edhe në cilësinë e punëve të të gjitha profilet. Me hyrjen tonë në Kuvendin e Kosovës këto do të jenë prioritetet tona, ku gjithnjë do të këshillohemi me ligjvënësit në Bundestag, se si është më së miri ti përshtatim në Kosovë.