02 Maj 2024

Beqaj: Kemi arrit rezultate drejtësi dhe siguri

Prishtinë, 8 shkurt - Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, sforcimi i kapaciteteve për riintegrim dhe vazhdimi i përmirësimit të sigurisë së regjistrave dhe dokumentacionit civil ishin temat kryesore të dialogut politik të mbajtur sot në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit në nën komisionin për drejtësi, liri dhe siguri dhe të cilat do të vazhdojnë deri të enjten.

Ministri i Integrimit Evropian, Besim Beqaj me këtë rast theksoi se Kosova dhe Komisioni Evropian do të diskutojnë dhe pajtohen mbi masat kyçe që do të ndërmerren sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të cilat do të çojnë drejt fillimit zyrtar të dialogut për liberalizimin e vizave.  

“ Siç jeni të informuar, gjatë vitit të kaluar është shënuar progres i konsiderueshëm në fushat të cilat mbulon ky Nën-komitet.  Kështu, në kuadër të punëve të brendshme, është shënuar progres sidomos në procesin e ripranimit dhe ri-integrimit, përmes kompletimit të kornizës ligjore, asaj të politikave dhe forcimit të institucioneve si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, përfshirë rritjen e resurseve të alokuara për ri-integrimin efektiv të shtetasve tanë që pritet të riatdhesohen bazuar në Ligjin dhe marrëveshjet përkatëse bilaterale”, tha ministri Beqaj.

Ministri Beqaj theksoi se një fushë tjetër prioritare është edhe ajo e sigurisë së dokumenteve dhe regjistrave civilë, në të cilën autoritetet e Kosovës kanë shënuar progres të konsiderueshëm, siç është vënë re edhe në Raportin e Progresit 2010.

“Këtu vlen të përmendet sidomos funksionalizimi i Agjencisë për Regjistrim Civil si agjenci e specializuar ekzekutive për këtë fushë, avancimi i infrastrukturës teknike dhe digjitalizimi i regjistrave të gjendjes civile, i cili proces është në përfundim e sipër, dhe hapja e zyrës së regjistrimit civil në pjesën veriore të vendit”, theksoi Beqaj.

Ashtu siç parasheh PVPE 2011 dhe strategjitë dhe planet sektoriale të veprimit, përpjekjet në fushën e riatdhesimit dhe ri-integrimit të riatdhesuarve dhe atë të regjistrimit civil dhe sigurisë së dokumenteve sipas tij do të intensifikohen gjatë këtij viti, me fokus në forcimin e strukturave institucionale dhe përmirësimin e kushteve për ri-integrimin e të riatdhesuarve, si dhe përmbushjen e të gjitha parakushteve teknike për fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike.

Një fushë tjetër kyçe e cila është konsoliduar konsiderueshëm është ajo e Menaxhimit të Integruar të Kufijve.

“Përveç avancimit të kornizës ligjore, reformimit të strukturës institucionale të Policisë së Kosovës, transferimit të plotë të kontrollit të kufirit me Republikën e Shqipërisë dhe një pjesë ne kufi me Maqedoninë nga KFOR-i nën përgjegjësinë e Policisë Kufitare, gjithashtu është avancuar bashkëpunimi operacional i agjencive kosovare me homologët e tyre të vendeve fqinje”, tha ministri Beqaj.

Gjithashtu sipas tij janë ngritur kapacitetet vendore për vlerësim të rrezikut, planifikim, hetime dhe pronësia vendore në ngritjen e vazhdueshme të infrastrukturës teknike në përputhje me nevojat dhe kërcënimet e mundshme të rrezikut.

Ministri Beqaj theksoi se i përket luftimit të korrupsionit, gjatë vitit të kaluar është kompletuar më tej korniza ligjore përmes miratimit të Ligjit për Financimin e Partive Politike, Ligjit për Konfliktin e Interesit, dhe kornizës së politikave strategjike në këtë fushë përmes miratimit të Planit të rishikuar të Veprimit Anti-Korrupsion.

“Për më tepër është përmirësuar edhe korniza institucionale përmes themelimit të Task Forcës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drejtorisë për luftimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit brenda Policisë së Kosovës. Gjithashtu është përmirësuar bashkëpunimi ndër-institucional”.

Rezultate të rëndësishme janë arritur edhe në lëmin e gjyqësorit, përmes intensifikimit të reformës së këtij sektori, me theks në miratimit e legjislacionit kornizë për gjykata dhe prokurori si dhe atij për KGJK-në dhe KPK-në.

Për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së komuniteteve jo-shumicë, është përmirësuar më tej korniza ligjore në këtë sektor përmes miratimit të legjislacionit që rregullon funksionet e Avokatit të Popullit, ndihmën juridike falas, ekzekutimin e sanksioneve penale, qasjen ne dokumentet zyrtare, luftimin e dhunës në familje dhe grevat, sikurse edhe Kodi për Drejtësinë për të Miturit.

“Prioritet për periudhën në vijim mbetet harmonizimi i përgjegjësive institucionale në këtë fushë dhe përmirësimi i implementimit të politikave, në përgjithësi. Gjithashtu ka pasur përmirësime në kornizën institucionale përmes hapjes së një zyre për ndihmë juridike falas në veri të Mitrovicës dhe të pesë zyrave të tjera të tilla”, tha ministri Beqaj.

Viti 2010 ka shënuar progres në ngritjen e kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, përderisa zhvillimi i suksesshëm i procesit të decentralizimit ka krijuar kushte për një ambient më të përshtatshëm për kthim, tha ministri i integrimit evropian duke theksuar se Qeveria dhe partnerët e tjerë vlerësojmë lart rënien e shkallës së incidenteve ndër-etnike.

Lukas Holub, përfaqësues i Komisionit Evropian në takimin e nën komitetit për drejtësi, liri dhe siguri theksoi se ky takim duhet të përcakton detyrat konkrete të institucioneve të Kosovës në lëmin e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë më theks të veçantë me sundimin e ligjit, e sidomos riintegrimi i personave të riatdhesuar, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe funksionimi i gjyqësorit. 

Zbatimi i konkluzioneve të dala nga takimi dhe veprimeve pasuese do të jenë me rëndësi kyçe në përcaktimin e hapave të mëtejmë të Kosovës në procesin e Stabilizim-Asociimit pasi që sundimi i ligjit është prioritet kyç dhe njëra prej sfidave kryesore me të cilat Kosova ballafaqohet.

Dialogu i Procesit të Stabilizim Asocimit  është futur në zbatim nga Komisioni Evropian në vjeshtën e vitit 2009 si një avancim i Mekanizimit Përcjellës të Procesit të Stabilizim-Asociimit (MPS).

Është korniza në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)