Bemporad: Nuk jeni qendër financiare as politike
Prishtinë, 16 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takimin me Rabinin Jack Bemporad, Drejtor i Qendrës për Mirëkuptim Ndërfetar në SHBA.
Fillimisht Bemporad falënderoi Kryetarin Veseli për mikpritjen të cilën është duke e përjetuar gjatë vizitës së tij në Kosovë, për të shtuar se rrëfimeve që ka dëgjuar për mikpritjen shqiptare do tua shtojë edhe rrëfimin e tij.
Më tutje Rabinin Bemporad theksoi se Kosova nuk është ndonjë qendër e madhe financiare, as qendër e fuqishme politike, por ka një traditë të mrekullueshme të mirëkuptimit fetar dhe bashkëjetesës fetare.
Populli juaj ka një përgjigje të mrekullueshme se si duhet religjionet ta trajtojnë njëra-tjetrën, tha Rabini Bemporad, për të shtuar se qëllimi i aktivitetit të tij është që religjionet në botë në themelet e tyre të zbulojnë së bashku burimet e paqes, mirëkuptimit e bashkëpunimit.
Kryetari Veseli, duke falënderuar Rabinin Bemporad për vizitën dhe mesazhet e tij në Kosovë, theksoi përkushtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës dhe të të gjithë shoqërisë kosovare, për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin ndëretnik dhe ndërfetar në vend dhe më gjerë. Më tutje kryetari Veseli shtoi se ne ndihemi krenarë që modeli ynë i mirëkuptimit fetar është duke frymëzuar gjithandej botës njerëz dhe organizata që punojnë për të mirën e njerëzimit.