19 Janar 2025

Bekleviç: Do të shtohen investimet turke në Kosovë

Prishtinë, 29 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Demokraci (IFDP), me seli në Stamboll, Tuna Bekleviç, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve dhe të krijimit të klimës së mirë të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje dhe vizitë të suksesshme në Kosovë dhe në legjislativin e vendit, ka shfaqur respektin që ka për punën e  Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Demokraci në planin e forcimit të demokracisë në botë, për ngritjen e drejtësisë për të gjithë, për luftën kundër varfërisë, për barazinë gjinore, për promovimin e bashkëjetesës dhe mbështetjen e ekonomisë së tregut.

Ai ka falënderuar për ftesën që i ishte bërë vitin e kaluar për të marrë pjesë në takimin e këtij Forumi në Stamboll.

Krasniqi ka folur për punën e institucioneve të Kosovës për shtetndërtim dhe afirmim ndërkombëtar, duke pohuar se Kosova kultivon raporte të mira me vendet fqinje dhe vendet e rajonit.

Ai, ndërkaq, ka shfaqur shpresën se gradualisht do të normalizohen edhe marrëdhëniet me Serbinë, megjithëse, siç është shprehur ai, praktikat po tregojnë se me Beogradin është vështirë të bisedohet dhe të arrihen marrëveshje që zbatohen.

Kryetari i Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Demokraci, Tuna Bekleviç, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, si dhe kontributin që po japin institucionet e Kosovës për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë.”Paqja dhe stabiliteti i rajonit të Ballkanit nuk mund të mendohen pa paqen dhe stabilitetin e Kosovës”, ka theksuar Bekleviç.

Duke i pohuar marrëdhëniet e mira historike ndërmjet dy vendeve dhe popujve të tyre, ai ka konstatuar interesin e dyanshëm për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, e duke u zotuar për më shumë investime turke në ekonominë e vendit tonë.

Ai, ndërkaq ka theksuar se gjatë shtatorit të këtij viti në Stamboll do të mbahet një takim i madh i të gjitha vendeve të rajonit, duke  e quajtur të mirëpritur pjesëmarrjen e kreut të Kuvendit të Kosovës në atë takim. “Populli i Kosovës në Turqi do të gjejë çdo herë një vëlla besnik dhe një mik të mirë”, e ka siguruar Belkeviç kreun e Kuvendit të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)