Behgjet Pacolli takon ambasadorin e Australisë
Prishtinë, 15 korrik - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka takuar ambasadorin e Australisë në Republikën e Kosovës, rezident në Vjenë, z.Michael Potts.
Zëvendëskryeministri Pacolli, ka vlerësuar lartë rolin e shtetit të Australisë, në procesin e krijimit të shtetit të Kosovës. Ai ka njoftuar ambasadorin Potts, me progresin e arritur në Kosovë, dhe veçanërisht me hapat e ndërmarrë drejt, nxitjes së disa reformave thelbësore që do të krijonin kushte për zhvillim ekonomik.
Ne jemi duke u angazhuar fuqishëm, për reforma në drejtësi, ekonomi. E kam një ide të qartë për ridizajnimin e Agjensionit të Privatizimit, duke e shndërruar atë në Agjension të Participimeve. Ne duhet të krijojmë kushte për të rritur sigurinë e investitorëve. Vetëm kështu besoj se do të ngjallim ekonominë tonë, ka theksuar zoti Pacolli.
Në anën tjetër, ambasadori Patts, ka ripërsëritur qëndrimin përkrahës të shtetit të tij, për Republikën e Kosovës.
Ai ka siguruar zëvendëskryeministrin Pacolli që personalisht do të bashkëpunojë në nxitjen e investitorëve australianë, për të ardhur në Kosovë dhe për të investuar. Ambasadori Patts, ka vlerësuar lartë angazhimin e zotit Pacolli për nxitjen e reformave ekonomike.
Kosova ka fat që ju jeni pjesë e Qeverisë, për ti implementuar këto reforma, ka thënë ambasadori Patts.