18 Janar 2025

BE: Zgjedhjet, hap para për demokracinë

Prishtinë, 5 nëntor - Misioni evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve ka vlerësuar se raundi i parë i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës është administruar në mënyrë efikase në atmosferë të qetë, por mbetet sfida e pasaktësive të listës së votuesve dhe pamundësimi i nje numri te votuesve nga ushtrimi i lirë i të drejtës së tyre për votim në komunat në veriun e Kosovës, për arsye të sigurisë.

Gjendja në veriun e Kosovës e ka detyruar Misionin ENEMO t’i tërheqë vëzhguesit afatshkurtër për shkaqe sigurie. Gjatë ditës së zgjedhjeve, ekipet e vëzhguesve afatshkurtër kanë vizituar gjithsej 26 vendvotime në këto 4 komuna.

Gjatë tërë ditës është vërejtur atmosferë e tensionuar brenda dhe jashtë vendvotimeve. Tensioni është rritur me përfundimin e ditës së zgjedhjeve, duke rezultuar me ndërprerje të votimit dhe mbyllje të të gjitha vendvotimeve në Veri para orës 19.00.

“Dita e zgjedhjeve, në pjesën më të madhe të Kosovës, ka kaluar e qetë. Natyrisht se i dënoj sulmet në veri të Mitrovicës, të cilat nuk kanë qenë vetëm sulme në hapësirat e vendvotimeve. Ato kanë qenë sulme mbi të drejtat themelore të qytetarëve për të shprehur opinionin e tyre përmes kutive të votimit."

"Megjithatë, fakti se qytetarët kanë dalë për të votuar, tregon se ata që kanë dashur të sabotojnë procesin, nuk ia kanë dalë”, ka thënë shefi i misionit evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve, Roberto Gvaltijeri.

Ai po ashtu ka theksuar se, pavarësisht sfidave të veçanta në veri, organet zgjedhore, me ndihmën e rolit ndërmjetësues të OSBE-së në Kosovë, kanë arritur të organizojnë zgjedhjet.

Vëzhguesit e BE-së kanë qenë të pranishëm në tërë Kosovën për një muaj. Ata kanë vëzhguar të gjitha aspektet e procesit zgjedhor deri më tani, duke përfshirë punën e administrimit të zgjedhjeve, aktivitetet e fushatës së kandidatëve dhe partive politike dhe sjelljen e mediave, si dhe kanë vlerësuar se korniza ligjore siguron bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike. Ndëshkimet e rënda të parapara me ndryshimet në Kodin Penal nga viti 2012 mund të kenë kontribuar në parandalimin e njerëzve nga kryerja e shkeljeve zgjedhore.

Në shumicën e komunave, përgatitjet teknike kanë kaluar pa vështirësi të mëdha. Ambienti i zgjedhjeve ishte i qetë dhe kishte një fushatë të gjallërishme. Mediat kanë siguruar mbulim të gjerë të fushatës, duke iu mundësuar garuesve në zgjedhje që t’i bartin porositë e tyre tek opinioni publik, duke iu ofruar votuesve informata të larmishme.

Përkundër vështirësive të posaçme në veri, me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në rolin e lehtësuesit, organet zgjedhore ishin të suksesshme në organizimin e zgjedhjeve. Megjithatë, përhapja e gjerë e frikësimeve dhe presioneve kundër aktivistëve politikë dhe votuesve nuk mundësonte një fushatë të lirë.

Disa elemente të procesit zgjedhor do të kërkojnë më shumë vëmendje të Kosovës në të ardhmen. Ka pasur besim të ulët në saktësinë e listave të votuesve, posaçërisht për shkak të rasteve të shpeshta të pranisë së personave të vdekur, si dhe shumë votuesve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.

Procesi i regjistrimit të votimit jashtë Kosovës ishte i vështirë dhe nuk ishte i favorshëm për votuesit dhe as gjithëpërfshirës. Megjithatë, janë bërë përpjekje për ta rritur pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, thuhet në raport.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)