BE vlerëson pozitivisht prioritizimin e agjendës legjislative në anti-korrupsion
Prishtinë, 3 mars - Në takimin e sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, ambasadorit Tomáš Szunyog, u diskutua për fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për reformën në drejtësi, dhe se vetingun në sistemin e drejtësisë e sheh si procesin më të përshtatshëm që e mundëson atë.
Ai tha se ne duhet të mësojmë nga përvoja e Shqipërisë dhe ta vëmë atë në shërbim të një vetingu të suksesshëm në Kosovë.
“Ne duam që procesin e vetingut ta bëjmë së bashku me Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Kurti, teksa theksoi rëndësinë e partneritetit me Bashkimin Evropian, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë."
"Më tej kryeministri tha se angazhimin e Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet ta komplementojmë me prokurorë dhe gjykatës efektiv, të cilëve nuk u mungon as integriteti e as kompetenca.
Në anën tjetër ambasadori Szunyog tha se sundimi i ligjit në Kosovë është çështje e rëndësishme për Bashkimin Evropian.
Ai tha se pajtohet për nevojën për një sistem të drejtësisë që është efikas dhe i paanshëm.
Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi pozitivisht prioritizimin e agjendës legjislative në fushën e anti-korrupsionit, sikurse edhe gatishmërinë e institucioneve për të bashkëpunuar me Komisionin e Venecias, sikurse në rastin e projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procesin e vetingut, dhe tash së fundmi projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.â