BE-së nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën
Prishtinë, 24 prill - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Komisioneri Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Për më tepër sipas Thaçit, ai paska shtuar se BE-së nuk mund ti bëhet presion me deklarata të tilla.
\"Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën.\"
\"Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën\", ka theksuar Thaçi.
Ndërsa, në rastin më të keq sipas tij as që do tia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000.
\"Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së.\"
\"Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë.\"
\"Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran\", ka pohuar presidenti Thaçi.