BE rikonfirmon gatishmërinë për shtyrjen përpara të agjendës evropiane
Prishtinë, 20 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me shefin e Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltaren Arbenita Mjekiqi, priti sot në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, nga i cili ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe Pakon e Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2021.
Kryetari Glauk Konjufca vlerësoi bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për perspektiven evropiane të Kosovës. Ai po ashtu nënvizoi progresin e theksuar në implementimin e reformave që kontribuojnë në procesin integrues të Kosovës në BE, duke veçuar me këtë rast si shembull për demokracinë në rajon e më gjerë mbajtjen e dy palë zgjedhjeve të lira e demokratike brenda këtij viti.
Shefi i Zyrës së BE-së, ambasadori Szunyog shprehu mirënjohje për frymën bashkëpunuese dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në drejtim të avancimit të legjislacionit, sundimit të ligjit dhe shtyrjes përpara të agjendës së përbashkët evropiane.