BE pret vazhdimin normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë
Prishtinë, 10 shtator - Pas zgjedhjeve të parlamentare të 8 qershorit, për herë të parë, komuniteti ndërkombëtar kryesisht ka qëndruar në rolin e spektatorit, duke pritur që liderët dhe partitë politike të gjejnë vetë zgjidhjen.
Në një deklaratë të përbashkët nga Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë është theksuar edhe njëherë mbeshtetja për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Në deklaraten e tyre thuhet se Bashkimi Evropian ka vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe ka qenë i kënaqur me mënyrën fer dhe transparente në të cilën u mbajtën ato.
\"Ne poashtu jemi duke e përcjellë procesin demokratik të konstituimit të Kuvendit si hap i parë që të pasohet me formimin e një qeverie legjitime. Ne vazhdojmë që me vendosmëri t\'i përmbahemi parimit që të mos ndërhyjmë në këto procese, që janë çështje e brendshme e Kosovës dhe që duhet të adresohen e të zgjidhen nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës.\"
\"Ne tashmë kemi shprehur dhe përsërisim shpresat tona se së shpejti do të formohet një qeveri ashtuqë që të adresojë sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova si qeverisja ekonomike, rritja e standardit të jetesës, përmirësimi i sundimit të ligjit, ndjekja e agjendës evropiane dhe vazhdimi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë\", theksohet në deklaratë.
Në këtë kontekst, ata e kanë përsëritur rëndësinë e madhe të vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, në nivel politik e teknik, në mënyrë konstruktive dhe të orientuar në rezultate, duke çuar në normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë.
Ky përkushtim, siç është theksuar qartë në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim të inicializuar së fundmi, ka ndikim të drejtëpërdrejtë në rrugën evropiane të Kosovë dhe kësisoj është në interesin vital të Kosovës.
\"Ne presim që qeveria e ardhshme e Kosovës të vazhdojë të implementojë marrëveshjet si dhe të përkushtohet dhe angazhohet për ta çuar normalizimin përpara\", thuhet në fund të deklaratës.
Nderkaq Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka përsëritur edhe të martën se zgjidhja për formimin e institucioneve duhet të gjendet nga faktori i brendshëm politik.
Këto komente, ajo i ka bërë gjatë përurimit të shkollës fillore, Musa Hoti në Mitrovicë. Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar dhe ambasada amerikane presin që Kosova të ecë përpara me këto procese.
Kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe unë jam shumë e interesuar të shoh, siç besoj se është edhe popullata e Kosovës, që deputetët të vazhdojnë tutje me agjendën për çka edhe i ka zgjedhur elektorati i Kosovës, ka thënë Jacobson.
Në prag të seancës së 12 shtatorit, kur Kuvendi sërish do të provojë që të zgjidh nyjën rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ambasadorja amerikane ka dhënë një mesazh edhe për deputetët.
Populli i Kosovës i ka zgjedhur ata, deputetët, që të qojnë përpara proceset dhe të punojnë për vendin dhe të mos angazhohen për politika partiake dhe të njëanshme, ka thënë me këtë rast, Jacobson.
Ajo ka konfirmuar se do të jetë e pranishme në këtë seancë në rolin e vëzhgueses.
Ambasadorja amerikane i ka rikujtuar institucionet e reja që do të formohen se kanë para vetës shumë sfida siç janë, vazhdimi i dialogut me Serbinë, integrimi evropian, miratimi i ligjit për luftëtarët jashtë Kosovës e çështje të ngjashme.