BE mbështet sistemin e unifikuar të adresave në Kosovë
Prishtinë, 31 gusht - Projekti i financuar nga BE-ja "Mbështetje Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Sistem të Unifikuar të Adresave" ka hyrë në një fazë të rëndësishme.
Sot, Agjencia Kadastrale e Kosovës, me mbështetjen e këtij projekti, do ta nis punën në terren për ti mbledhur të dhënat e nevojshme për një sistem të unifikuar të adresave në Kosovë.
Parashihet që kjo punë në terren të kryhet brenda tre muajsh. Të dhënat e mbledhura do të futen në Sistemin Informativ të Regjistrit të Adresave (SIRA) për ta krijuar një regjistër elektronik të adresave për mbarë Kosovën, përfshirë edhe hartat e adresave.
Pritet që SIRA të jetë plotësisht funksionale kah fillimi i vitit 2013. Përgjegjëse për mirëmbajtjen e SIRA-s do të jetë Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti të BE-së është që ti ofrohet mbështetje Agjencisë së Regjistrimit Civil, nën Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ti përforcojë kapacitetet dhe procedurat e saj të punës dhe që tu ofrohet mbështetje Agjencisë Kadastrale e Kosovës dhe komunave në realizimin e një sistemi të unifikuar të adresave për Kosovën.
Regjistri i adresave do të lidhet me të dhënat e gjendjes civile, kështu që çdo qytetar do të regjistrohet me një adresë zyrtare.
Në kuadër të këtij projekti, komunave dhe institucioneve relevante u janë ofruar trajnime, dokumentacion dhe staf mbështetës për punën në terren. Ky projekt pesëmilionësh menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizohet nga B&S Europe.
Me rastin e lansimit të aktiviteteve në terren, zëvendësshefi i Operacioneve, Melvin Asin, tha të gjithë në Kosovë do të përfitojnë nga ky sistem i unifikuar i adresave, qofshin institucionet publike, ndërmarrjet komunale apo bizneset private apo edhe qytetarët e rëndomtë.
"Posa ky sistem të vihet në funksion, ai do ta rrisë cilësinë e një vargu të gjerë të shërbimeve, nga dorëzimi i dërgesave tuaja postare e deri te shërbimet emergjente".