BE mbështet normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi
Prishtinë, 14 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u takua sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, kryesuar nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Kryeministri Thaçi me këtë rast njoftoi ambasadorët për takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, që u mbajt në Bruksel kohë më parë me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton.
Qeveria e Republikës së Kosovës është thellësisht e përkushtuar për implementimin e të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit. Një nga parakushtet për integrim, ka potencuar kryeministri Thaçi, është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësia e mirë, dhe në këtë kuadër procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë dhe është në të mirën e të dyja shteteve dhe rajonit në tërësi ka theksuar kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi siguroi ambasadorët se gjatë gjithë procesit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sigurojë transparencë maksimale, dhe se platforma kryesore e këtij procesi mbetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ambasadorët e vendeve të BE-së shprehën mbështetjen e plotë për kryeministrin Thaçi dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.