BE-ja jep 2.6 milionë euro për shoqërinë civile në Kosovë

Prishtinë, 6 shkurt - Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/, Përfaqësuesi Special i BE-së sot ka shpallur katërmbëdhjetë grante të reja për shoqërinë civile, të cilat financohen nga Programi për mbështetjen e shoqërisë civile dhe Instrumenti evropian për demokraci dhe të drejta të njeriut.
Projektet e reja do të mbështesin përpjekjet e shoqërisë civile në krijimin e kushteve të nevojshme për një dialog dhe partneritet konstruktiv, sistematik dhe efektiv në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare, në të gjitha nivelet e qeverisjes, përpjekjet në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës së autoriteteve publike, në përpjekjet për promovimin e të drejtave të njeriut të personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve, nënave të vetme si dhe në përpjekjet për promovimin e raporteve në mes të komuniteteve në Kosovë përmes kulturës.
Christof Stock, shef i sektorit të bashkëpunimit në Zyren e BE-së, tha: \"Për një vend që aspiron të jetë anëtar të BE-së, një shoqëri civile e fuqishme kontribuon në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE. BE-ja mbetet e angazhuar në vazhdimin e mbështetjes së përpjekjeve të OJQ-ve kosovare në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, përfshirjes sociale dhe sundimit të ligjit.\"
Projektet kanë nisur të funksionojnë në dhjetor 2013 dhe janë duke u implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Raportim Hetues (Balkan Investigative Reporting Network), Ndërtimi i komuniteteve Mitrovicë (Community Building Mitrovica), Grupi për Studime Politike dhe Ligjore, Instituti për Politika Zhvillimore, Qendra e Arsimit të Kosovës, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave, Shoqata e Avokatëve Norma, ODA, Aktiv, Caritas Kosova, Dokufest, Medica Kosova dhe Mitrovica Rock School.
Për më tepër, Asistenca teknike për organizatat e shoqërisë civile (TACSO), një projekt tjetër ky i financuar nga BE për mbështetjen e shoqërisë civile në Kosovë, ka prezantuar të gjeturat kryesore dhe rekomandimet e një raporti për vlerësimin e nevojave, i cili është përgatitur së fundi, dhe i cili do të sigurojë një bazë të mirë për komunitetin donator në dizajnimin e asistencës së tyre për shoqëri civile, veçanërisht për programet e BE-së, si CSF dhe EIDHR.
Programi për mbështjetjen e shoqërisë civile është një program i cili mbështet zhvillimin e shoqërisë civile në pjesëmarrje aktive në debate publike për demokraci, të drejta të njeriut, përfshirje sociale dhe sundim të ligjit, dhe i cili ndërton kapacitetet e tyre për të ndikuar në procese politikëbërëse dhe vendimmarrëse.
Instrumenti evropian për demokraci dhe të drejta të njeriut (EIDHR) mbështet veprimet inovative dhe të vogla nga organizatat e shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, në mënyrë që të rritet respekti për të drejta të njeriut dhe për liri themelore, dhe të fuqizohet roli i shoqërisë civile në promovimin e të drejtave të njeriut dhe reformës demokratike.