07 Maj 2024

BE do të angazhohet për promovimin e grave në media

Prishtinë, 21 mars - Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës  pritën në një takim shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Qëllimi i takimit ishte njohja me angazhimin e Grupit të Grave Deputete dhe mundësitë e bashkëpunimit me BE-në për promovimin e rolit të gruas në shoqëri.

Anëtarja e GGD-së Flora Brovina tha se gratë deputete janë të parat ato që kanë thyer barrierat politike dhe etnike në Kosovë dhe ka promovuar politikën e tolerancës dhe të mirëkuptimit.

Po kështu ajo përmendi angazhimin e GGD-së për një numër  të madh ligjesh, të cilat promovojnë barazinë gjinore. “Deri tani nuk është bërë asgjë për gratë e dhunuara gjatë luftës, dhe ne kemi kërkuar që ato të ndihmohen,” tha zonja Brovina.  

Ndërkohë deputetja Donika Kadaj Bujupi theksoi se gjendja e gruas në ekonomi vazhdon të mbetet alarmante. “Vetëm 1% e grave kanë pronë në emrin e tyre ose janë trashëgimtare e pronës familjare.”

Deputetja Kadaj- Bujupi kërkoi në emër të GGD-ës që Komisioni Evropian të mundësojë sjelljen e fondeve strukturale në Kosovë me destinacion bizneset e financuara prej grave, pasi në këtë mënyrë arrihet edhe realizimi i të drejtës së trashëgimisë, dhe ndihma për hapjen e bizneseve. 

Anëtarja tjetër e GGD- ës Alma Lama tha se Grupi i Grave Deputete është unik në krejt rajonin pasi gratë e partive të ndryshme janë mbledhur rreth një qëllimi, promovimit të rolit të gruas në shoqëri.

“Përvec monitorimit të ligjeve nga aspekti i barazisë gjinore dhe propozimit për ndryshimin e tyre, GGD-ja është e angazhuar për përmirësimin e portretizimit të grave në media, luftën ndaj sterotipeve negative dhe inkurajimit të tyre në politikë dhe ekonomi.”

Lama tha se për herë të parë Kuvendi i Kosovës me rastin Ditës Ndërkombëtare të Gruas mbajti një seancë pune, rekomandimet e të cilës ishin në disa fusha, si: ekonomi, arsim, gjyqësi etj.

Anëtaret e GGD-ës kërkuan njëzëri  nga përfaqësuesi i BE-së që sa i përket zgjidhjes së çështjes së veriut, qasja e BE-së duhet të jetë ajo e zhvillimit ekonomik dhe e sundimit të ligjit.

Zhbogar u pajtua me këtë qasje. Ai tha se Zyra e BE-së në Kosovë do të angazhohet edhe në projektin e GGD-ës për blerjen e mamografit mobil, por edhe për përmirësimin e promovimit të grave në media. “Barazia gjinore, tha ai, është një nga politikat e fuqishme që sot promovon BE-ja.”   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)