BE dhe Kosova dakordohen për Agjendën Evropiane të Reformave
Prishtinë, 14 qershor - Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill 2016.
Gjatë takimit dyditor zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për fusha të ndryshme që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe çështjet e brendshme.
Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve në të gjitha fushat e përfshira në Agjendën Evropiane të Reformave dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2019.
Sa i përket të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, Avokati i Popullit e paraqiti situatën e përgjithshme në Kosovë dhe përfaqësuesit diskutuan koordinimin e mekanizmave ekzistues të të drejtave të njeriut, mbrojtjen e të dhënave dhe qasjen në dokumente publike, lirinë e shprehjes, dhunën në familje dhe të drejtat pronësore.
Po ashtu u diskutua edhe për gjendjen e komuniteteve pakicë, përfshi zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, funksionimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve dhe Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe integrimin e komunitetit rom dhe ashkali.
Të dy palët gjithashtu diskutuan nevojën për drejtësi tranzicionale, marrjen me të kaluarën dhe sqarimin e vendndodhjes së personave të zhdukur nga konflikti.
Autoritetet e Kosovës njoftuan BE-në për përpjekjet e tyre në reforma, përfshi iniciativën "Drejtësia 2020" dhe "Rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit". Të dy palët gjithashtu diskutuan për shtrirjen e mëtejshme të sistemit elektronik të menaxhimit të rasteve dhe regjistrin e centralizuar të evidencës penale.
Sa i përket anti-korrupsionit, u diskutuan disa zhvillimeve ligjvënëse. BE përshëndeti miratimin e Kodit të ri Penal.
Të dy palët u pajtuan që zbatimi i plotë i të gjithë legjislacionit të ri në fushën e sundimit të ligjit do të jetë vendimtar. BE-ja u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë punën dhe të miratojnë Kodin e rishikuar të Procedurës Penale si dhe ligjet tjera që lidhen me luftën kundër korrupsionit. BE theksoi se projektligji për financimin e partive politike duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
Në fushën e Punëve të Brendshme dhe në luftën kundër krimit të organizuar, u shkëmbyen pikëpamje për migracionin, azilin dhe riatdhesimit, reformën e policisë, luftën kundër narkotikëve dhe terrorizmit dhe parandalimin e radikalizimit.
Të dy palët u pajtuan që zbatimi i plotë i të gjitha strategjive në këto fusha është qenësor.
BE-ja përshëndeti përparimin në fushat e migracionit, azilit dhe luftës kundër terrorizmit.
Palët diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Autoritetet e Kosovës theksuan rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të punës me Europolin.
Palët diskutuan më tej nevojën për të forcuar përpjekjet dhe kapacitetet për të luftuar krimin, veçanërisht krimin kibernetik, drogën dhe krimin e organizuar, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të konfiskimeve përfundimtare.
Gjithashtu u diskutuan edhe aspektet lidhur me liberalizimin e vizave. Komisioni konfirmoi vlerësimin nga korriku 2018, duke deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave.
Në mars të vitit 2019, Parlamenti Evropian mbështeti propozimin e Komisionit për liberalizimin e vizave në leximin e parë. Propozimi është në pritje në Këshill.