28 Prill 2024

Baton Haxhiu e Jeton Musliu dënohen për shpifje

Prishtinë, 10 dhjetor -Gjykata Komunale në Prishtinë e ka shpallur fajtor të mërkurën drejtorin e televizionit “Klan Kosova”, Baton Haxhiu, dhe gazetarin e gazetës “Express”, Jeton Musliu, për vepër penale të shpifjes.

Gjykata i ka gjetur fajtorë dy gazetarët. Haxhiu është trajtuar në cilësinë e drejtorit të gazetës dhe në cilësinë e autorit të një komenti me titull “Bujar Tramp” të botuar një ditë pas një raporti të gazetarit Jeton Musliu me titull “Bujar, ku i more”, në të cilin raportohej se ish-ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Bujar Dugolli, kishte deklaruar në KQZ tre milionë euro pasuri në prag të zgjedhjeve nacionale të vitit 2007, transmeton “Koha”.

Atë kohë Dugolli ishte kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet të Kuvendit të Kosovës. Në prag të zgjedhjeve, më 25 shtator 2007, gazeta “Express” pati raportuar se Dugolli kishte deklaruar pasuri të madhe në vlerë prej tre milionë eurosh, derisa pasuria e tij krahasohej me atë të vitit 2004, kur ish-ministri kishte deklaruar pasuri 145 mijë euro.

Një ditë më vonë Baton Haxhiu pati shkruar një koment me titull “Bujar Tramp”, duke u quajtur kolegë miliarderi amerikan, Donald Trump, dhe Bujar Dugolli në artin e krijimit të pasurisë. Haxhiu konstatonte se këta dy kanë zbuluar formulën si të bëhesh milioner, pa u lodhur aspak.

Megjithëse gjykata i ka shpallur fajtorë Haxhiun e Musliun, ndaj tyre nuk është shqiptuar asnjë sanksion penal, por vetëm u është dhënë vërejtje gjyqësore. Gazetarët e kanë pranuar fajësinë në seancën e javës së kaluar, duke i kërkuar falje Dugollit.

Bujar Dugolli, tash kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, kishte bërë një padi private në gjykatë për shpifje, duke ofruar si prova materiale artikujt edhe formularin e deklarimit të pasurisë në KQZ dhe në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit. Në bazë të këtyre provave, gjyqtarja Shpresa Hyseni ka nxjerrë aktgjykim fajësues.

Gjyqtarja ka vendosur po ashtu që Dugolli për të kërkuar dëmshpërblim material për dëmtim të imazhit, duhet t’i drejtohet gjykatës me një padi tjetër civile.

Dugolli të mërkurën nuk ka dashur të fliste, por për këtë e ka autorizuar avokatin Gafurr Elshani. Ky avokat ka thënë se pas shqyrtimit kryesor gjykata ka marrë vendim në bazë të pranimit të veprës penale në fillim të shqyrtimit kryesor të të dy të pandehurve, Baton Haxhiu dhe Jeton Musliu, të cilët kanë pranuar veprën penale dhe i kanë kërkuar edhe falje të dëmtuarit Bujar Dugolli.

“Duke pasur parasysh rrethanat, Bujar Dugolli ka kërkuar nga gjykata që të marrë një aktgjykim dënues, por jo maksimal. Gjykata ka shpallur aktgjykimin, ku prezent ka qenë Bujar Dugolli, Jeton Musliu por jo edhe Baton Haxhiu”, ka thënë Elshani. “Është me rëndësi që është kryer vepra penale e shpifjes dhe i ka dënuar, ndërsa masa e dënimit është vërejtje gjyqësore”, ka thënë ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)