Bashkimi Shqipëri - Kosovë në Evropë
Prishtinë, 29 nëntor - Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se ky 28 nëntor shqiptarët i ka gjetur më mirë se ndonjëherë. Demaçi ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri është çelur një dritë e madhe, një shpresë e madhe, se tashmë Shqipëria do të drejtohet si duhet.
Ai ka thënë se këtë 28 nëntor e ka pritur me një optimizëm më të madh sesa e ka pasur para 5-6 muajve.
Në një intervistë për Epokën e re, Demaçi ka thënë se, pavarësisht se shqiptarët kanë humbur shumë luftëra dhe janë shuar shumë kryengritje, ata prapë janë ngritur.
Kemi humbur shumë luftëra, shumë punë, janë shuar shumë kryengritje, por përsëri janë ngritur shqiptarët, përsëri kanë luftuar për liri, përsëri nuk e kanë harruar vetveten, e ky është një shembull unik në botë që një popull kaq i vogël të bëjë kryengritje kaq të shumta me pushtues shumëfish më të fortë, më të organizuar dhe me më përkrahje sesa ne, ka thënë Demaçi.