Bashkimi Evropian uron presidenten Vjosa Osmani
Prishtinë, 4 prill - Bashkimi Evropian ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.
“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapo konsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në urimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes. Pas zgjedhjes, ajo bëri betimin para deputetëve.
Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në adresimin e saj para kuvendit, Osmani tha se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe si dhe u zotua se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.
"Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcojë shtetin tonë, republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantojë mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetëshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbrojë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit", tha Osmani.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.