Bashkimi Evropian duhet ta mbështesë më shumë Kosovën
Në një intervistë për Epokën e re, Bashkurti ka deklaruar se kjo deklaratë do të ishte më e plotë nëse do ta parashtronte me të njëjtën forcë dhe angazhim edhe vullnetin më të madh e më efikas të institucioneve të Kosovës për evropianizim. Unë pajtohem me shqetësimin që Kosovës i nevojitet t\'i jepet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Nuk është e drejtë dhe as dinjitoze për BE-në të lërë Kosovën në një fare mënyre, krijesën e vet më të re, jashtë lëvizjes së lirë të njerëzve, ka thënë Bashkurti.
Bashkurti ka thënë se nuk beson se brenda BE-së mungon sinqeriteti për Kosovën. Brenda BE-së ka shtete që nuk ia duan të mirën Kosovës. Ky është problemi që BE-ja edhe për disa kohë, ndoshta edhe për shumë kohë, nuk e kapërcen dot.
Populli e politika e Kosovës nuk kanë asnjë shkak që të mendojnë se në BE, me përjashtim të pak shteteve, mungon vullneti i mirë për mbështetje. Jo. Shumica dërrmuese e vendeve të BE-së janë jashtëzakonisht mike dhe mbështetëse të mira të Kosovës. Për këtë nuk ka dyshim, ka thënë Bashkurti.